Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk është përgjigjur për refuzimin e ftesës për konsultim që i bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës së djeshme. Përgjigje nuk dha as nëse do t'i ftojë partitë e tjera.
Të mërkurën, Kurti gjatë vizitës në Koshare u pyet për refuzimin e Abdixhikut, por nuk u përgjigj.
Kryeministri në detyrë kishte ftuar kryetarin e LDK-së për takim konsultues gjatë ditës së sotme ose nesër në tri orare të ndryshme.
Por në përgjigje, Abdixhiku ka thënë se gjuha e LVV-së karshi LDK-së ka pamundësuar bashkëpunimin e mundshëm në mes të këtyre dy taborëve politikë, për formimin e Qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 deputetë – jo mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Duke përkujtuar 26-vjetorin e Betejës së Koshares, Kurti vlerësoi sakrificën e të rënëve dhe atyre që luftuan për ta shembur kufirin Kosovë – Shqipëri.
“Shemben kufirin që ndante Kosovën nga Shqipëria, nga radhët e UÇK-së, në krye me komandantin Agim Ramadani dhe Sali Çekun, por gjithashtu kishim mbi 400 të plagosur. U vranë së paku 108 ushtarë e oficerë të ushtrisë agresore e okupatore serbe. Është çmimi i lirisë që po e gëzojmë dhe shtetit që po ndërtojmë”, ka thënë ndër të tjera ai.