Arbëri

Kurti në Vlorë, krah Ramës në ngritjen e flamurit

Kurti Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë krah homologut Edi Rama, presidentit Bajram Begaj dhe kryekuvendares Elisa Spiropali gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit në qytetin historik të Vlorës.

Shqipëria sot po feston 112-vjetorin e Pavarësisë.

Kurti edhe vitin e kaluar kishte marrë pjesë në këtë ceremoni.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali e ngriti flamurin kuqezi në Vlorë për ta shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. 

Për vizitën në Vlorë, Kurti më vonë shkroi edhe në Facebook.

“28 Nëntori na bashkon. 112 vjet më parë, në Vlorë shqiptarët u bënë bashkë. Idealet, parimet dhe synimi për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, ishin ç'ka bashkuan mendimtarë e veprimtarë patriotë të kombit më 28 Nëntor 1912. Na lanë një trashëgimi historike e detyrë kombëtare, që atdheun ta duam, ta mbrojmë, ta përparojmë. Sot e festojmë atë ditë, me shumë herë më pak vuajtje sesa në të kaluarën. E kemi më të lehtë sot të bëhemi bashkë, e të jemi bashkë. Sepse duhet të qëndrojmë bashkë. Për sa më shumë zhvillim e demokraci, mirëqenie e prosperitet për qytetarët tanë në Kosovë e në Shqipëri. Këtë 28 Nëntor, me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryeparlamentaren Spiropali e shumë miq e personalitete, e festuam në Vlorën e Pavarësisë, në qytetin që shënoi themelimin e shtetit shqiptar. Dita e sotme e forcon tek të gjithë shqiptarët, ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit!”, ka shkruar kryeministri.