Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me homologun kroat Andrej Plenkoviq, ku ka theksuar se Serbia mbetet faktor destabilizues dhe kërcënues në rajon.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se takimi konfirmoi raportet e shkëlqyeshme që kanë dy shtetet.
“U theksua përkushtimi i përbashkët për fuqizimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre në fusha me interes të përbashkët. Mes marrëveshjeve dhe mundësive për thellim të bashkëpunimit, u veçua fusha e sigurisë si dhe ajo e arsimit për më shumë shkëmbime e trajnime të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, sipas njoftimit, u bisedua dhe mbi paqen e sigurinë në Ballkan.
“Kryeministri tha se Serbia mbetet faktor destabilizues e kërcënues i rajonit. Ai theksoi sulmin paramilitar të Banjskës nga i cili u shënua dhe një vjetori i këtij akti terrorist tre ditë më parë, si dhe propagandën e vazhdueshme dezinformuese të aparatit shtetëror serb mbi Kosovën e veçanërisht veriun e vendit tonë. Mbi dialogun me Serbinë që zhvillohet në Bruksel, Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të normalizimit dhe nevojën për respektimin e pakusht, si dhe zbatimin e plotë e pa vonesa të mëtejme të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, teksa Serbia ende nuk po e nënshkruan dhe nuk është e gatshme për ecjen tutje drejt normalizimit të marrëdhënieve”, vijon njoftimi.