Arbëri

Kurti në takim me Peachin e Doughtyn: Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyç për integrim rajonal

Albin Kurti, Stephen Doughty, Lord Stuart Peach

Foto: Arkiv

Kryeministri Albin Kurti në Berlin ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Shtetit për Evropë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty, dhe të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit takimi është zhvilluar në prag të Samitit të Procesit të Berlinit dhe në të Kurti thuhet se ka theksuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyç për integrim rajonal.
“Në 10-vjetorin e Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri theksoi që marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyç për bashkëpunim e integrim rajonal”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit në takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, fushat e ndryshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks tek ajo e mbrojtjes, proceset integruese Euro-Atlantik të Kosovës dhe mundësitë e reja në shërbim të thellimit të raporteve bilaterale.

“Të dyja palët uruan Forcën e Sigurisë së Kosovës për suksesin në Garën ‘Cambrian Patrol’ në Mbretërinë e Bashkuar, ku ekipi i FSK-së u radhit i dyti, duke u shpërblyer me medalje të argjendtë në mesin e ekipeve nga 36 shtete të ndryshme të botës”, thuhet në njoftim.

Kurti thuhet se ka falënderuar ministrin e shtetit Doughty dhe emisarin Lord Peach “për rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj republikës sonë”.