Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në adresimin e tij në samitin e Procesit të Berlinit ka paralajmëruar edhe për rritjen e ndikimit të Kinës në rajon, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë mes Kinës e Serbisë.
“Lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar thellë në fqinjin tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën. BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo "Procesi i Pekinit", i cili çon drejt BRICS-it”, ka deklaruar Kurti.
“ Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyeshëm dhe një flamurtar në këtë Proces, por nuk duhet të qëndrojmë të vetëm në shtyrjen përpara dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së”, ka shtuar Kurti.
Kurti në samitin e Berlinit: Koha e fundit që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për BE
Ai ka thënë se është koha e fundit që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe stabilitet institucional, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, ka thënë ai gjatë fjalimit, të cilin e ka shpërndarë edhe në rrjetin social Facebook.
Ai ka folur edhe për Procesin e Berlinit duke thënë se për një dekadë ka luajtur një rol kyç në afrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi. Një momentum i ri është fituar pas kapërcimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tash mund të përparojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazi në qendër dhe qytetarët si përfituesit e fundit. Plani i Rritjes i BE-së është tani një Agjendë e miratuar e Reformave; zbatimi i tij duhet të ndjekë qasjen e "garës për në majë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se gjatë një dekade është bërë përparim i rëndësishëm në Procesin e Berlinit, por se sipas tij nevojiten edhe më shumë veprime.
Kurti ka quajtur paradoksale që qytetarët e Kosovës që nga janari lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen, nuk mund të shkojnë në Bosnjë-Hercegovinë pa viza.
Kurti: Nga janari Kosova lejon hyrjen e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës me letërnjoftim
Ai ka thënë se Kosova nga janari do ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen për lëvizje të lirë e cila është arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.”, ka deklaruar Kurti.
