Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka pasur Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si pikë të referencës gjatë tubimit elektoral të mbajtur të enjten me qytetarët në Rahovec. Themelimin e kësaj byroje Kurti e ka krahasuar me një lloj të sistemit të ujitjes. Ditët e mbetura të fushatës zgjedhore i ka krahasuar me ato të fundit të muajit të agjërimit, teksa ditën e zgjedhjeve me festën e Bajramit
Në tubimin elektoral me qytetarët në Rahovec, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka numëruar investimet miliona eurosh që Qeveria e udhëhequr prej tij i ka bërë për këtë komunë.
Tek ka folur para tyre të enjten, Kurti i është referuar Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, themelimin e të cilës e ka krahasuar me një lloj të sistemit të ujitjes.
“Ju në Rahovec e bujqit gjithandej Kosovës e dini mirë çka është sistemi pikë-pikë, sistemi i ujitjes pikë-pikë. Mirëpo të mirat vinë pikë-pikë nga toka prej njerëzve punëtorë, ama ata të cilët nuk i kanë marrë të mirat nga toka ose përmes punës e pikë-pikë, ata që janë pasuruar në kurriz të popullit, do ta mësojnë çka është sistemi cent për cent. Se këtu në Rahovec e bujqit gjithandej Kosovës sistem pikë-pikë e ata milionë–milionë dikur, nuk shkon. Ne vazhdojmë me pikë-pikë, por byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe prokuroria e sistemi i ri i drejtësisë cent për cent do t’ia kthejë popullit pasurinë e plaçkitur, të vjedhur e të zhvatur ndër dy dekada”, ka theksuar ai.
E kur nga mbështetësit e tij ka kërkuar angazhim të shtuar për të siguruar fitore më 9 shkurt, Kurti ka bërë krahasimin e ditëve të fundit të fushatës elektorale me ato të muajit të shenjtë mysliman të agjërimit.
“Është e domosdoshme që të punoni secila e secili, të gjithë. Kjo fushata zgjedhore është pak si Ramazani, 10 ditët e fundi janë më të vështira, por pikërisht në 10 ditët e fundit duhet me i dhanë zor ma shumë e pas muajit të Ramazanit vjen festa e Bajramit. E festa e Bajramit, para Bajramit, e ka numrin 118, e ka emrin Vetëvendosje dhe ju ka juve që votoni bashkë e festoni bashkë”, ka thënë ai.
Në kryeqytetin e bujqësisë, siç e ka quajtur Rahovecin, Kurti ka thënë se gjatë qeverisjes katërvjeçare të tij 12 mijë fermerë e bujq janë mbështetur me mbi 260 milionë euro, ndërsa janë ndarë shtesa për më se 1.900 nëna lehona e gati 12 mijë fëmijë.
“Para neve nuk ka pasur qeveri për nëna lehona dhe as kryeministër për fëmijë. Para neve, këta nuk kanë pasur as nëna e as fëmijë. Me qeverinë tonë, në pikëvështrimin tonë, në vëmendjen, në zemrën e qeverisë ndodhen edhe nënat, edhe fëmijët”, ka thënë Kurti, teksa ka shtuar se nëpërmjet platformës qeveritare “Super Puna” janë punësuar 255 të rinj nga Rahoveci.
Në Rahovec, Kurti ka bërë zotimin se do të ngrihet njëra prej gjashtë poliklinikave specialistike të parapara që të ndërtohen gjatë mandatit të tij të ardhshëm. E gjatë mandatit aktual, ai ka thënë se qeverisja e tij është sfiduar me ato që i ka quajtur opsione “merre ose lëre”.
“Neve na kanë kritikuar duke na sfiduar: ose liri ose siguri. E ne kemi thënë, i kemi bërë të dyja edhe liri edhe siguri. Neve na kanë kritikuar e sfiduar duke na thënë jeni të detyruar të zgjidhni ose rregullativ, ose investime, ne i kemi thënë, i kemi bërë të dyja, edhe rregullativ, edhe investime. Na kanë kritikuar, sulmuar e sfiduar duke na thënë ose sovranitet shtetëror, ose partneritet ndërkombëtar e ne kemi thënë i kemi bërë të dyja, edhe sovranitet shtetëror edhe partneritet ndërkombëtar. Na kanë kritikuar e sfiduar duke na thënë zgjidhni e merrni ose rritje ekonomike, ose të drejta të njeriut. E ne kemi thënë se i kemi bërë të dyja, edhe rritje ekonomike, edhe të drejta të njeriut”, ka thënë ai.
Për punët e qeverisë, para qytetarëve në Rahovec ka folur edhe kandidatja për deputete e LVV-së, Arbërie Nagavci.
“Gjatë këtij mandati kemi ndërtuar kopshte e çerdhe. Në mandatin e qeverisë sonë të re do të vazhdojmë edhe me edukimin e hershëm, me programe të reja. Do t’i mbështesim familjet që dërgojnë fëmijët në çerdhe jopublike. Do të sigurohemi që të gjithë fëmijët të përfshihen në edukimin parafillor, në secilën komunë, në gjithë Kosovën... Do të rishikojmë të gjitha tekstet shkollore e do të digjitalizojmë përmbajtjet mësimore, do të pajisim të gjitha shkollat me tabela të mençura e do të digjitalizojmë sistemin arsimor”, ka thënë ajo. Fushatën elektorale LVV-ja të premten do ta vazhdojë në Gjakovë.