Arbëri

Kurti në Gjakovë: Mandati i radhës, mandat i hekurudhave

Në Gjakovë, për herë të dytë brenda 20 ditësh është kthyer të premten kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në tubimin e mbajtur në Sallën e Sportit “Shani Nushi”, Kurti ka folur për zotimet me të cilat ia ka mësyrë mandatit qeverisës, ndërsa ka kritikuar kundërshtarët e tjerë në garë

Mandati i radhës i Qeverisë që e synon, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se do të jetë mandat i hekurudhave.

Në rikthimin e tij të premten në Gjakovë për tubim zgjedhor, Kurti ka përmendur ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, projektimin e linjave të reja hekurudhore dhe modernizimin e linjave ekzistuese.

“Do të projektojmë edhe linja hekurudhore të reja që lidhin Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanocin dhe sidomos këtë linjën 10 nga Hani i Elezit në Fushë-Kosovë në Mitrovicë e deri në veri në Leshak, cep më cep. Lidhjet mes Gjakovës dhe Shkodrës janë të hershme dhe historike…hekurudha Prishtinë-Durrës me segmentin Gjakovë-Shkodër do ta mbushë boshllëkun e do ta kthejë bollëkun për Gjakovën e për Shkodrën, për Kosovën e për Shqipërinë”, ka thënë Kurti, derisa me hekurudhën për Bujanoc ai ka theksuar se Kosova do të bëhet “nyjë që i bashkon shqiptarët”.

Tek ka folur për investimet në infrastrukturë, ai ka kritikuar premtimet e partive të tjera në garën për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ata premtonin autostrada për të bërë shpronësime të tokave e të miqve me çmime stratosferike, ndërsa ne do të zgjerojmë rrugën e do të bëjmë magjistrale të cilat do të funksionojnë porsi autostrada, të cilat ata i flasin por kurrë nuk i bëjnë e ne i bëjmë edhe atëherë kur nuk i flasim”, ka theksuar Kurti.

Brenda katër vjetëve të ardhshëm, Kurti ka premtuar përfundimin e rrugës Prishtinë-Tetovë, autostradën Prishtinë-Gjilan deri te Dheu i Bardhë, rrugët Dollc-Gjakovë, Kijevë-Zahaq dhe gjithashtu Duhël-Shtime-Banullë.

“Gjithashtu do ta ndërtojmë autostradën e Dukagjinit, rrugën e zgjeruar që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun”, ka thënë ai.

Në kuadër të premtimeve të prezantuara, kandidati për kryeministër i LVV-së e ka përmendur atë për heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat nga Bashkimi Evropian dhe miratimin e draftligjit për automjete, me të cilën hiqet kufizimi 10-vjeçar për veturat e importuara.

“Me rrugët që po i ndërtojmë e zgjerojmë, lidhjet po i bëjmë më të mira e udhëtimin më të rehatshëm por gjithashtu me heqjen e kësaj taksës doganore prej 10 për qind për veturat nga BE-ja, që do ta bëjmë në muajt e parë të qeverisjes dhe me heqjen prej qafe të tallit të homologimit të Devollëve, pronësimin e veturave po e bëjmë më të përballueshme”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë po ashtu se për katër vjet të qeverisjes së tij janë ndërtuar më shumë çerdhe në një komunë sesa që qeverisjet e kaluara kanë ndërtuar për 17 vjet në krejt Kosovën.

“Ata kanë qenë qeveri për vete, ata kanë qenë qeveri për fëmijët e vet, ata kanë qenë qeveri për gratë e veta e nënat e veta, por jo për nënat e Kosovës, jo për gratë e Kosovës, jo për fëmijët e Kosovës qysh është qeveria jonë”, ka theksuar ai.

Me partitë kundërshtare, Kurti është tallur edhe sa u përket paralajmërimeve të tyre për rrëzim të qeverisë, siç tha, që nga viti i parë i qeverisjes.

“Të dashur qytetarë, hajt një javë e hajt një muaj, hajt një stinë e hajt një vit, shkuan katër vjet e tash kur po mendojnë që janë edhe katër të tjera, dojnë me u tranu... Tash mbas këtyre zgjedhjeve, kur po u kujtohet që kena me qenë së paku edhe 4 vjet të tjerë, s’po dinë çka me bo, e kur s’dinë çka me bo, fol pa lidhje, e kur fol pa lidhje, të mujnë edhe ma kollaj se që kanë pas me të mujtë edhe ashtu”, ka thënë ai.

Kurti e ka përsëritur edhe thënien e shprehur më herët, se më 9 shkurt nuk ka zgjedhje porse referendum. “E në referendum janë dy opsione: është opsioni po edhe opsioni jo. Duke i thënë po qeverisë sonë, po numrit 118 ju u thoni jo numrave të tjerë e atyre që keqqeverisën për më shumë se dy dekada. E këto dy opsione më tej janë në njërën anë ndryshimi juaj i madh që e keni realizuar më 14 shkurt 2021 e që ishte revolucion elektoral meqenëse një subjekt, subjekti ynë i mori mbi 50 për qind të votave dhe ata që keqpërdorën për më shumë se 2 dekada, sepse qeverisën veçse veti nga lakmia”, ka thënë ai.

Nga gjakovarët, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se pret 30 mijë vota. Aktivitetin elektoral, Kurti të shtunën do ta vazhdojë në qytetin e Mitrovicës.