Arbëri

Kurti në Bruksel zotohet për zbatim të obligimeve të dala nga marrëveshjet me Serbinë

Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti, në një takim që të premten e ka zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm për zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se Kosova zotohet që t’i plotësojë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë. 

“Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që është proces i ndarë por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi. Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje thuhet se me këtë, Kosova riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara. 

“Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, citohet të ketë thënë Kurti. 

Sipas njoftimit, Kurti ka thënë se pengesat aktuale në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që sipas tij, vjen nga Serbia. 

Në takim është diskutuar për aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian. 

“Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në takim janë trajtuar edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit.

Kurti citohet të ketë thënë se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, “sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit, dhe shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet evropiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Në takim thuhet se po ashtu, është diskutuar edhe fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Evropian i krijuar për t'i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm Koopman porositi se përkushtimi i institucioneve evropiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian, një gjë që është dëshmuar edhe me qëndrimet e shprehura nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në drekën e djeshme me liderët e Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje.