Arbëri

Kurti: Me ne në qeveri, kurrë “Zajednicë”

Për herë të dytë brenda tri javësh, kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, është kthyer në Mitrovicë, për të bërë fushatë. Në tubimin e mbajtur në sheshin e kësaj komune, ai tha se situata në veri ka ndryshuar për të mirë, gjatë mandatit qeverisës. Kurti është zotuar se, me të kryeministër, nuk do të lejohet “Zajednica”, term ky për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Kryeministri Albin Kurti, i cili synon ta drejtojë qeverinë edhe në mandatin e ardhshëm, ka kërkuar votën në Mitrovicë, për “t’u siguruar që gjërat rrinë në vend të vetin”. Sipas kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër, situata në komunën me tensionet më të larta etnike në Kosovë, ka ndryshuar për të mirë, nëpërmjet vendimeve të marra këtë mandat.

Ai është zotuar se nuk do të ketë “zajednicë”, term në serbisht për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në 2013-n dhe me dy marrëveshje pasuese, përfshirë një gjatë mandatit që ndodhet në përfundim.

“Sot kushdo mund të shkojë, kurdo, andej Ibrit, për punë, për pushim, për qejf, në ditë të javës, në ditë të fundjavës, të rrijë, të kthehet e të rikthehet e sidomos ju të dashur qytetarë të Mitrovicës”, ka thënë Kurti, në tubimin elektoral të organizuar në sheshin qendror të Mitrovicës. “Republika e Kosovës me qeverinë tonë në udhëheqje, i thotë jo kurrë Zajednicës dhe po Asociacionit të komunave të Kosovës, ku tash e kemi edhe komunën veriore të Mitrovicës sonë të dashur”.

Tek ka folur për veprimet e ndërmarra në veriun e banuar me serbë, ai ka veçuar nisjen e faturimit të energjisë elektrike e të tatimit në pronë për banorët matanë Ibrit që ndan entikisht Mitrovicën.

“Për herë të parë pas 25 vjetësh dhe kësisoj një pas një, dalë nga dalë, gjërat po binë në vend të vetin. Na duhet edhe një mandat për t’u siguruar që gjërat rrinë në vend të vetin”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për Liqenin e Ujmanit, për bashkëmenaxhimin e të cilit në mandatin qeverisës para tij, Kosova dhe Serbia u morën vesh në Shtëpinë e Bardhë.

“Në Mitrovicë e kemi Ujmanin që ka 75 për qind të rezervave ujore të Republikës sonë e që ne kurrë, për asnjë kusht e asnjë çmim nuk e ndajmë se është i joni, nuk e ndajmë me askënd sepse është pronë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Kryetari i Vetëvendosjes ka listuar edhe zotimet mandatore, por ka folur edhe për punët e bëra nga qeveria që e drejton. Ka thënë se në Mitrovicë ka mbështetur me 4 milionë euro e gjysmë rreth 2 mijë e 200 bujq e fermerë e me shtesa rreth 2 mijë nëna të reja dhe rreth 17 mijë fëmijë.

Është marrë edhe me opozitën.

Kritikën e ka fokusuar te kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili është kandidat për kryeministër i partisë kryesore në opozitë, PDK-së.

Kurti ka thënë se në një mandat si guvernator i Bankës Qendrore, Hamza nuk është marrë fare me dinarin serb që ka qarkulluar në komunat veriore.

“Kandidati për kryeministër i PDK-së dhe kryetari i komunës këtu, një mandat si guvernator i BQK-së nuk u mor fare me dinarin serb si mjet pagese. Dhe jo vetëm kaq, kryetari i komunës jugore këtu përveç që ka qenë guvernator një mandat ka qenë edhe dy herë ministër i Financave dhe gjatë këtyre dy herëve nuk u kujtua asnjëherë që në këtë vend ka nëna lehona dhe ka fëmijë që kanë nevojë për mbështetjen financiare të shtetit”, ka thënë pretendenti për të qeverisur edhe një mandat me ekzekutivin.

Kurti ka kritikuar Hamzën edhe për mungesë raportesh me kryetarin e Komunës së Mitrovicës se Veriut, Erden Atiq, i cili mori mandatin pas dorëheqjes së kryetarëve serbë në katër komunat veriore.

“Nuk ia ka uruar fitoren e nuk ka shkuar asnjëherë në zyrë që ta vizitojë. Prandaj kryetarin e komunës jugore të Mitrovicës këtu unë e ftoj publikisht që të shkojë në veri e të pijë kafe te kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiqi. E ftoj publikisht Bedri Hamzën që ta kalojë Ibrin e të shkojë te Erden Atiqi se edhe atje është Kosovë, edhe ajo është Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Nga 500 mijë vota sa Lëvizja Vetëvendosje synon të fitojë në gjithë Kosovën gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kurti tha se 30 mijë sosh i pret në Mitrovicë.

LVV-ja gjatë ditës ka ndarë hollësi të programit për fuqizimin e ushtrisë së Kosovës.

Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjete sociale, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili është kandidat për deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se në katër vjetët e ardhshëm do të zgjerohet dhe thellohet bashkëpunimi me vendet anëtare të NATO-s. Ai ka theksuar se me funksionalizimin e fabrikës për prodhimin e municioneve e edhe të dronëve ushtarakë, do të zhvillohet industria ushtarake e shtetit.