Arbëri

Kurti me ministren e Jashtme letoneze: Autorët e sulmit paramilitar në Banjskë po mbrohen nga Serbia

Albin Kurti & Baiba Braze

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar ministren e Jashtme të Letonisë, Baiba Braze, për raportet me Serbinë gjatë një takimi të martën në kuadër të Forumit të Sigurisë që po mbahet në Poloni. Kurti i ka thënë Brazes se autorët e sulmit paramilitar dhe terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar po mbrohen nga Serbia.

Në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Më 25 shtator të këtij viti, nisi seanca fillestare nga tre nga 43 të akuzuarit për sulmin në Banjskë. Organizatori i sulmit, Milan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht kërkesave të shpeshta të Kosovës që ai t’i dorëzohet auto riteve kosovare.

Në njoftimin për takimin, Kryeministria ka theksuar faktin se “Letonia ka njohur pavarësinë tonë vetëm tre ditë pas shpalljes së saj me 17 shkurt 2008 dhe që atëherë e ka mbështetur Republikën e Kosovës në zhvillimin e saj dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.

“Duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme, kryeministri theksoi rëndësinë e partneritetit bilateral dhe bashkëpunimit të afërt në avancimin e interesave të përbashkëta dhe mbrojtjes, si dhe promovimit të vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga regjimet autokratike. Në këtë kontekst, diskutuan për mënyrat dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.

Kurti e falënderoi ministren Braze për kontributin e Letonisë në sigurinë e Kosoovës përmes pjesëmarrjes në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Gjatë takimit u diskutua edhe rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në kontinentin e Evropës, teksa agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën po vazhdon dhe për rolin dhe përgjegjësinë që shtetet evropiane kanë për të mbështetur në mënyrë të pa rezervë Ukrainën në luftën e saj për çlirim, integritet territorial, sovranitet dhe demokraci. Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi ministren Braže për zhvillimet në vend, raportet me Serbinë, rreziqet që ajo paraqet për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve të afërta me Rusinë dhe për përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist dhe paramilitar të një viti më parë në Banjskë, gjatë të cilit u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërkohë që autorët e sulmit vazhdojnë të jenë të lirë e të mbrojtur në Serbi dhe nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Kurti në këtë takim u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe shefi i misionit të Kosovës ne Poloni, ambasadori Drilon Gashi.