Hapja e Urës së Ibrit edhe për vetura ka qenë temë që është trajtuar në takimin që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka zhvilluar të mërkurën me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në takim ndër të tjera është diskutuar edhe rreth zhvillimeve të fundit, situatën e sigurisë e të sundimit të ligjit dhe zhvillimin e gjithmbarshëm.
“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhet në njoftim.
Kurti në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në takim kanë qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ai i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ai i Francës, Olivier Guérot, ambasadori i Italisë, Antonello De Riu dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.