Një nga dështimet me të mëdha në trajtimin e punëtorëve, sipas institucionit të Avokatit të Popullit, është mungesa e sigurisë në punë. E në ditën Ndërkombëtarë të Punës, opozita e ka akuzuar Qeverinë për shkatërrimin e dialogut social, por kryeministri Albin Kurti ka thënë se kanë rezultate të prekshme në trajtimin e punëtorëve.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka numëruar shkeljet kryesore që bëhen në kurriz të punëtorëve.
Përmes një komunikate, ky institucion kanë numëruar këto shkelje e që, sipas tyre, kryesoret janë mungesa e sigurisë në punë, diskriminimi e stërzgjatja e procedurave gjyqësore.
“Avokati i Popullit duke parë rastet e shpeshta të aksidenteve në vendin e punës, me pasoja deri në fatalitet, e në veçanti në sektorin e ndërtimit, fton autoritetet publike përgjegjëse për zbatimin e ligjit, që t’i përmbushin obligimet ligjore që kanë në marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve në punë, sigurinë dhe ruajtjen e shëndetit në punë për të punësuarit si në sektorin privat, ashtu edhe në sektorin publik”, u tha nga Avokati i Popullit.
E aktivistët e Rinisë Demokratike të PDK-së, me valixhe në duar iu drejtuan ndërtesës së Qeverisë për të simbolizuar ikjen e profesionistëve nga vendi.
Kryetarja e të rinjve të PDK-së, Arbnora Salihu, ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, “pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre”.
Ajo foli edhe për dëshmimet, sipas saj, për të garantuar sigurinë në punë.
“Sot, për të gjitha këto kategori, në vend të festës, ne kërkojmë: Siguri në çdo vend pune; mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik; trajtim të drejtë dhe meritor në vendin e punës; kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë; vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t'i aftësuar e ndalur ata në Kosovë. Këto nuk janë vetëm kërkesa, këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një mjedis i drejtë pune, më e pakta që meritojnë punëtorët tanë. Së bashku, ne qëndrojmë për dinjitetin e çdo punëtori në Kosovë, sepse kur punëtorët mbështeten dhe vlerësohen, i gjithë shteti qëndron më i fortë. Urime 1 Maji të gjithë punëtorëve që mbajnë gjallë shtetin dhe ekonominë e Kosovës”, tha Salihu.
Nga ana tjetër kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria t’i trajtojë punëtorët me respekt e jo t’i denigrojë.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se paga minimale në Kosovë vazhdon të mbetet një formë e asistencës sociale.
Ai ka thënë se punëmarrësit e sektorit publik vazhdimisht përballen me trajtim jomeritor dhe diskriminues.
“Dialogu me sindikata është transformuar në një platformë monologu, ku Qeveria Kurti justifikon dështimet, shpërfaq arrogancën dhe monopolizon vendimmarrjen në lidhje me zhvillimin njerëzor dhe ekonomik”, tha Haradinaj.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e tij ka përmirësuar kushtet e punëtorëve.
“Kemi ndërmarrë një sërë masash të punësimit, të cilat rezultuan në shtim të punësimit për 70 mijë vende pune në tre vjetët e parë të qeverisjes. E krahas masave për punësim, morëm edhe masa për rritjen e pagave. Në sektorin privat subvencionuam rritjen e pagës për 17 mijë punëtorë, kurse në sektorin publik vitin e kaluar ngritëm pagat për 17% mesatarisht e sivjet edhe për 5% të tjera”, shkroi Kurti.
Këto shifra i ka përmendur edhe në të kaluarën Qeveria Kurti por që partitë opozitare i kanë kontestuar.