Arbëri

Kurti mban kushtet për rikthim në dialog, Osmani pret që procesi të përmbyllet me njohje

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë takuar ndaras emisarin e ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Në takimet e zhvilluara në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri ka përsëritur nevojën për përmbushjen e kushteve që do ta ringjallnin procesin, e presidentja ka shprehur përkushtimin për të punuar me aleatët që dialogu të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

Në takimin e parë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, kryeministri Albin Kurti ka përsëritur kushtet për t’u ulur në tryezën e dialogut me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në njoftimin e Qeverisë për takimin e realizuar në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, thuhet se kryeministri e ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe Aneksit të saj.

Kryeministri Kurti ka thënë se kjo marrëveshje vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, për lidershipin e të cilit shtet ka theksuar se refuzon nënshkrimin e dokumentit dhe se përmes letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq është tërhequr nga marrëveshja.

“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti tha se është absurde që presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Milosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Edhe pararendësi i Sorensenit, Miroslav Lajçak, pati dështuar ta zhvillonte raundin e fundit të nivelit të lartë, meqë kryeministri Kurti parashtroi tri kushtet për t’u ulur në tryezë me Vuçiqin.

Me emisarin e ri të BE-së për dialogun është takuar në Munih edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo shkroi në Facebook se me të diskutoi mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

Osmani shprehu pritjen që dialogu të përmbyllet me njohje reciproke.

“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka shkruar Osmani.

Një ditë më parë, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka thënë se në dy ditët e fundit ka biseduar në Paris dhe Berlin për mënyrat se si mund të avancojë procesi i dialogut.

“Mirënjohës për mbështetjen e tyre të plotë për përpjekjet e mia”, ka thënë Sorensen përmes një postimi në X – dikur Twitter, teksa të enjten ka publikuar fotografi me zyrtarë të të dyja shteteve.

Deklarata e tij ka ardhur në ditën kur kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se ka dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes dy vendeve, dhe ka paralajmëruar që së bashku me Sorensenin do të analizojnë mundësi si mund të bëhet proces funksional.

“Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë”, tha Kallas në një bisedë të përbashkët me grupin “Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve.

“Unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë. Dhe, ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizimin”, tha Kallas.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku evropian, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

Pasardhësi i tij, Peter Sorensen nga Danimarka, e ka nisur zyrtarisht punën më 1 shkurt.

Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë, Sorensen, në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet ta formojë qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike pas dorëheqjes së kryeministrit.

Kallas tha se po pret derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.

Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.

Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vjetësh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.

Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.

Kallas e përsëriti të enjten se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është i nevojshëm për Kosovën dhe Serbinë për të ecur përpara.