Arbëri

Kurti: Lehtësojmë masat anti-COVID sapo të zbuten rreziqet nga virusi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se masat e fundit COVID që ka marrë Qeveria e Kosovës, janë përgjigje ndaj situatave të fundit të krijuara me pandeminë.

Kurti ka thënë se këto masa janë marrë duke u bazuar në katër pika: ardhja e mërgatës në Kosovë për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet prej nga pritet të vijnë pjesë dërmuese e mërgimtarëve, shkalla e ulët e vaksinimit në Kosovë, dhe shfaqja e variantit të ri të COVID-19, i cili është më lehtë i transmetueshëm, Omicron.

Kurti megjithatë ka thënë se nëse zbutet situata me pandeminë, atëherë Qeveria do të bëjë lehtësimin e masave.

“Mjeti ynë më efikas për të mbrojtur vetën dhe të tjerët mbetet vaksinimi masiv. Nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën e qytetarëve me mjetet që Qeveria ka në dispozicion. Për këtë arsye kemi marrë masa kufizuese. megjithatë jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhëna më të reja, mbi të cilat do të përditësojmë masat konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë. Zotimi im është se në momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken, Qeveria do të marrë vendim të menjëhershëm për lehtësimin e masave”, ka thënë Kurti.


Kurti thotë se duhet bërë ndryshime edhe në sindikata siç bëhen në sfera tjera

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka thënë se mirëkupton grevat, porse thotë se mirëkuptimi i tij varet nga ligjshmëria e tyre.

Kurti ka thënë se i janë gjithmonë falënderues punonjësve shëndetësorë dhe se Kosova po bën gjithçka për t’iu dalë në ndihmë. Por, Kurti ka thënë se duhet bërë ndryshime edhe në sindikata, siç bëhen në politikë e sfera tjera të jetës.

“Mundësitë e Kosovës janë relativisht të vogla, e dimë se në çfarë gjendje ndodhet sistemi shëndetësor dhe shërbimi mjekësor në përgjithësi në Kosovë, për shkak të neglizhencës dhe anashkalimit që i është bërë për më tepër se dy dekada. Unë kam takuar më herët udhëheqësit e sindikatave të punëtorëve shëndetësorë, padyshim se do t’i takoj edhe në të ardhmen. Por, uroj që të ketë gjithandej ndryshime, siç po bëhen në politikë. Besoj se do të duhet të ketë ndryshme në çdo sferë shoqërore e profesionale. Pasi jam i bindur se edhe punëtorët shëndetësorë, edhe qytetarët e Republikës nuk mjaftohen që për shumë vite të vazhdojnë të përfaqësohen nga të njëjtit njerëz kushdo që ata qofshin e kudo që ata janë”, ka thënë Kurti.

Punonjësit shëndetësorë të enjten për javën e dytë rresht kanë mbajtur grevë 8-orëshe. Ata po kërkojnë procesimin e Ligjit të Pagave. 

Sa i përket për protestën e specializantëve dhe kërkesën e tyre që të takohen me kryeministrin, Kurti ka thënë se është i gatshëm t’i presë ata, por se me rëndësi për të është që të zgjidhet problemi në mënyrë të drejtë, parimore e të qëndrueshme e jo të zhvillohen takime ku dëgjohen problemet, e që nuk është se nuk i dinë.

“Jam i interesuar të mos kemi takime të tilla edhe në të ardhmen. Edhe më herët specializantët janë takuar me ministria e kryeministra, por problemet nuk janë zgjidhur. Jemi të interesuar të vijmë te një zgjidhje, që pastaj të bëjmë takime zhvillimore, e jo mbijetese, ekzistenciale që janë bërë deri tash. Kam mirëkuptim për kauzën e tyre”, ka thënë Kurti.


Kurti: Testimi ka qenë vitin e kaluar kryefjala e reagimit ndaj pandemisë, tash është vaksinimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar se përse Qeveria e Kosovës ka vendosur si masë të re, vaksinimin për të gjithë ata që duan të hyjnë në Kosovë nga data 6 dhjetor.

Kurti ka thënë se arsyeja se përse është vendosur që deri më datën 3 janar, mund të hyhet në Kosovë me vetëm njërën dozë plus testi PCR ose njërën dozë plus dëshminë e kalimit të COVID-19, është se ata të cilët nuk e kanë asnjë dozë tani, nuk mund t’i marrin të dy dozat para se të vijnë

“Ata të cilët nuk e kanë asnjë dozë tani, nuk do të mund t’i marrin dy dozat para se të vijnë, një dozë mund ta marrin edhe para se të vijnë në Kosovë, ndërkaq nëse nuk e kanë asnjë dozë e kanë të pamundur që t’i marrin të dyja para se të vijnë në Kosovë. Ne duam që për fundvit bashkatdhetarët tanë të vijnë sa më shumë, sepse gëzohemi edhe ne edhe ata, por në të njëjtën kohë ne duhet t’i marrim këto masa në kushtet kur paparashikueshmëria është shumë e lartë. Ne nuk e dimë rrezikun. Është rrezik i pakalkulueshëm. Kur paparashikueshmëria është aq e lartë, ne e kemi të domosdoshme që t’i marrim këto masa”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, testi në vitin 2021, kryefjala e reagimit ndaj pandemisë është vaksina.

“Nuk mund të mjaftohemi vetëm me testin e shpejtë ose PCR pasi një përqindje e caktuar e këtyre testeve mund të dal gabimisht negative. Mos të harrojmë që testi ka qenë kryefjala e reagimit ndaj pandemisë në vitin 2020, në vitin 2021 kryefjalë e reagimit ndaj pandemisë është vaksina”, është shprehur Kurti.