Arbëri

Kurti kritika në Bruksel: Mbështetet agresori që mbron terroristët e Kosova mbetet nën masa

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe Serbisë. Në rilansimin e Programit “Willy Brandt” për zgjerim të Bashkimit Evropian, nga Socialistët dhe Demokratët, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij politikat e Kosovës “më shumë janë pëlqyer sesa mbështetur”, ndërsa të Serbisë “më pak janë pëlqyer, e më shumë janë përkrahur”. Këtu ka thënë se përderisa Serbia ka marrë mbështetje të tillë, është pikërisht ky vend që strehon terroristët e rastit Banjska, ndërsa Kosova mbetet nën masa të Bashkimit Evropian.

“Përpjekjet tona për ta avancuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat fundamentale të BE-së pranoheshin me fjalë. Por shumë rrallë mbështeteshin në aksione. Në fjalë të tjera, politikat tona më shumë janë pëlqyer se mbështetur. E politikat e fqinjit tanë janë pëlqyer më pak, por janë përkrahur më shumë. Fqinji jonë verior që është agresor dhe që provokon tensione e synon destabilizim sot strehon e mbron terroristët, por është Kosova që mbetet nën masat restriktive të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se loja e Serbisë mes Moskës dhe Brukselit, nuk duhet të tolerohet.

Ai ka thënë se e ardhmja e Kosovës është e lidhur me BE-në dhe se Kosova është e gatshme t’i bashkohet BE-së.

Kurti ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të hiqen masat, ndërsa ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet edhe pyetësori e po ashtu ta marrë statusin e shtetit kandidat. 

“Po kërkojmë nga Komisioni Evropian që të na hiqen masat. Miku im Josep Borrell, ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, i shkroi një letër 27 shteteve anëtare dhe tha se Kosovës duhet t’i hiqen masat. Por, siç e dini kur na u vendosën masat u vendosën me një letër si në heshtje e tash kur po duhet të hiqen po mjafton një anëtar apo një anëtar e gjysmë, të thotë jo apo të mos thotë po, e masat nuk po na hiqen. Masat duhet hequr. Duhet të marrim pyetësorin dhe po ashtu statusin e shtetit kandidat. Jo vetëm pasi është diçka që njerëzit duan, por mendoj se shteti ynë e meriton këtë”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova pos Bashkimit Evropian dëshiron të anëtarësohet edhe në NATO.  

Sa i përket samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet këtë vit në Londër, Kurti ka thënë se i kishte pëlqyer deklarata e Samitit që u mbajt në Londër në vitin 2018. Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme sivjet të procedohet me njohjen e diplomave dhe kualifikimeve.

Në hapje të këtij programi, zyrtarët evropianë kanë thënë se synojnë bashkëpunimin më të ngushtë me shtetet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. “Misioni jonë është i qartë: Ta bëjmë Evropën të plotë dhe të kompletuar”, thuhet në nisje të këtij programi.


Kurti flet për marrëdhënien me SHBA-në dhe postimet kundër tij gjatë fushatës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në rilansimin e Programit “Willy Brandt” për zgjerim të Bashkimit Evropian, nga Socialistët dhe Demokratët, ka folur për marrëdhënien me SHBA-në. 

Kurti ka thënë se bashkëpunimi i Kosovës me SHBA-në është si në mbrojtje, ashtu edhe zhvillim e diplomaci. 

Ai ka thënë se këtë vit Kosova do të jetë një nga shtetet organizatore të Defender Europe 2025 si dhe nga SHBA-ja do të blejë raketa Javelin dhe helikopterë Blackhawk. 

Ai ka thënë se do të shpenzonte më me dëshirë diku tjetër paratë, por duhet forcuar mbrojtje pasi "duhet mbrojtur sovraniteti e integriteti territorial". 

Ka përmendur 48 baza të Serbisë, ushtarake dhe të xhandarmërisë, që gjenden përgjatë kufirit me Kosovën. 

“Nuk ka më burime të brendshme destabilizimi që se kontrollojmë apo menaxhojmë. Ka inkursione të herë pas hershme nga Serbia. Por, Kosova është më e fortë se 5 vjetë më parë dhe jam optimist”, ka thënë Kurti. 

Ai ndërkohë ka thënë se mbyllja e USAID-it ka goditur Kosovën, pasi USAID ka ndihmuar, por thotë se Kosova ka bërë përparim ekonomik, social e po ashtu avancim në demokraci. 

Sa i përket postimeve në platformën “X” që ishin bërë kundër tij nga emisari i SHBA-së për misione të posaçme, Richard Grenell, gjatë fushatës zgjedhore, Kurti thotë se nuk ka një matje për të ditur se sa kanë ndikuar. 

“Ka pasur ‘tweets’ kundër meje gjatë fushatës. Ne kemi marrë 42 për qind në fund, që është më tepër se që kanë së bashku partia e dytë dhe e tretë që doli në zgjedhje. Mirëpo, këto ‘tweet’ kundër meje, nuk e di sa kanë ndikuar. Nuk kemi bërë analizë e nuk di nëse mund të matet...Është e vështirë të dimë se si do të rrjedhin gjërat. Siç i shoh unë gjërat, SHBA-ja nën administratën e Donald Trumpit po merret me Ukrainën e Rusinë, që të mos merret me Ukrainën e Rusinë. Duan të kenë kohë, nerva e gjithë energjinë e nevojshme për t’u marrë me Kinën”, ka thënë Kurti.