Arbëri

Kurti: Krimi në Krushë, dëshmi e projektit gjenocidal të Milosheviqit

Në 26-vjetorin e masakrave në dy fshatrat e Rahovecit, Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, qytetarë e udhëheqës institucionesh, kanë bërë homazhe në nderim të të rënëve. Presidentja Vjosa Osmani tha se beteja për drejtësi për të vrarët është përkushtim i çdoditshëm i institucioneve, e kryeministri Albin Kurti u shpreh se në Krushë është dëshmia e projektit gjenocidal të Slobodan Milosheviqit

Masakrat në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël janë ende betejë e hapur për drejtësi, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, në përvjetorin e 26-të të tyre.

Nga Krusha e Madhe, ku ende nuk janë gjetur trupat e disa të vrarëve, Osmani tha të mërkurën se nuk do të lejohet që drejtësia të vonojë pafundësisht.

“Ajo është një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre që ishin të pafajshëm të mbetet pa zë e që sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, ne nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Krusha e Madhe nuk është vetëm simbol i dhimbjes, por edhe i qëndresës”, ka thënë presidentja Osmani.

Në tubimin përkujtimor kryeministri Albin Kurti u shpreh se masakrat në Krushë janë dëshmi e projektit gjenocidal të Serbisë. 

“Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviq. Përkundër kësaj, drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryerësit nuk janë dënuar. Është evidente që ushtarët dhe policët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer krimet ku brenga e tyre më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave. Pra, zhdukja e gjurmëve të krimit. Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lumë e forma të tjera çnjerëzore të dëmtimit dhe zhdukjes së kufomave janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal”, ka thënë kryeministri Kurti.

E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, kërkoi që krimet e Serbisë në Kosovë të kenë trajtim të duhur ligjor.
“Vrasjet masive, djegiet e kufomave dhe zhdukja e trupave të të vrarëve janë dëshmi e një veprimi të organizuar dhe të zbatuar me shumë kujdes nga Serbia kriminale duke djegur e zhdukur gjurmët e këtij krimi makabër”, ka thënë Latifi.

26 vjet më parë, në këto dy fshatra të Rahovecit, forcat serbe vranë mbi 350 shqiptarë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë. Nga ta, 124 persona të zhdukur me dhunë ende nuk janë gjetur.

Një ditë më parë, Safet Krasniqi nga Krusha e Madhe i tha KOHËS se ende e ndien të freskët erën e gjakut të 243 civilëve.

Në ngjarjen e 25, 26 e 27 marsit të 1999-s, atij iu vranë 16 anëtarë të familjes, 11 prej të cilëve nuk janë gjetur as sot e kësaj dite. 

Megjithëqë humbi familjarë e shokë, ai thotë se dhembjen më të madhe e ndien për nënat të cilave iu vranë të bijtë e që trupat nuk ua gjetën kurrë.

“Më 24 e 25 ata njerëz kanë qenë të gjallë, të gjithë. E pas 25, më 26 e 27 janë vrarë se nuk kanë pasur asnjë sëmundje. Po janë vrarë me plumba, granata, me snajper, janë vrarë edhe nga afër kur janë kapur. Po më dhimbsen ato nëna që nuk i kanë ata djem, që nuk i kanë anëtarët e familjes e disa që nuk gjenden hiç”, ka thënë Krasniqi.

E dëshmitari Muharrem Hoti ka treguar se pas masakrës e ka varrosur me duart e tij secilën viktimë që ka gjetur, përfshirë të vëllain, djemtë e axhës e edhe shokët. E dhembjen për krejt që i përjetoi thotë se e ndien me të njëjtin intensitet sikur atëherë.

“U bënë 26 vjet, po akoma i kemi të njëjtat emocione, dhimbjen e njëjtë për 242 persona që janë vrarë këtu në Krushë të Madhe. Në Krushë të Madhe ka shumë persona që e kanë përjetuar dhe e kanë parë ngjarjen, po fatkeqësisht disa dëshmitarë na kanë vdekur, po edhe 200-300 janë të gjallë”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se për të gjithë banorët e Krushës pengu më i madh mbeten 64 të pagjeturit e për të cilët tregon se është ndarë nga një copë toke për varrim.

“Pengu më i madh i banorëve në Krushën e Madhe janë të pagjeturit, pra të zhdukur që janë. Pengu më i madh është i tyre, i nënave të tyre që nuk e dinë se ku e kanë varrin e fëmijëve të vet e problemi më i madh është te ta”, thotë Hoti. 

Banorë të fshatit kanë shprehur vërejtjen se edhe 26 vjet pas masakrës asnjë dëshmitari nuk i është marrë deklaratë mbi ngjarje, tek theksuan se numri i atyre që mund të tregojë se çfarë ndodhi në Krushë po tkurret nga dita në ditë. Për krimet në Krushë nuk është dënuar asnjë person.