Arbëri

Kurti: Krimet e Serbisë nuk falen

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se populli i Kosovës i është mirënjohës mbështetjes ndërkombëtare në luftën e fundit, duke thënë se krimet e Serbisë nuk harrohen e as nuk falen.

Duke përkujtuar 25 vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës, Kurti shkroi në Facebook të dielën se kjo Marrëveshje i kishte dhënë fund luftës në Kosovë, duke ndaluar masakrat dhe vrasjet e shtetit serb.

“Bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavi pushuan më 10 qershor 1999. Një ditë më pas, më 11 qershor, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hynë në Prishtinë, kurse po atë ditë ushtarët e KFOR-it filluan të hyjnë në Kosovë. Gjatë dhjetë ditëve në vijim të gjitha forcat e armatosura serbe dhe jugosllave e lëshuan territorin e Kosovës. Pas shumë vuajtjesh nën regjimet e Serbisë pushtuese, Kosova u çlirua dhe populli i saj nisi ndërtimin e një etape krejt të re historike. Duke i kujtuar ditët e fundit të luftës në Kosovë dhe ditët e para të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese. Sepse populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës e falënderues për ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare teksa nuk harrojnë dhe nuk falin krimet e Serbisë”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ai ka shtuar se serbët kishin kryer krime në Kosovë “deri në orët e fundit”, duke përmendur vrasjet e civilëve në Podujevë, pas tërheqjes drejt Merdarit.

“Më 7 qershor, negociatat në Kumanovë ishin pezulluar pasi palët nuk po pajtoheshin për kushtet e marrëveshjes. Pas rifillimit të negociatave, në marrëveshjen e arritur më 9 qershor 1999, ishte vendosur që të gjitha forcat e armatosura serbe dhe jugosllave, pra njësitet ushtarake, policore dhe të tjera, të tërhiqeshin plotësisht nga territori i Kosovës deri më 20 qershor. Andej kufirit, u caktua një hapësirë prej 25 kilometrash si Zonë e Sigurisë Ajrore dhe një hapësirë prej 5 kilometrash si Zonë e Sigurisë Tokësore, brenda të cilave ndalohej hyrja e forcave serbe dhe jugosllave. Gjatë tërheqjes së tyre nga Kosova, forcat e armatosura serbe kryen krime deri në orët e fundit, sikur që janë rastet e vrasjeve të civilëve në komunën e Podujevës, prej nga u tërhoqën drejt Merdarës më 19 qershor”, potencoi ai.