Arbëri

Kurti kërkon trysni amerikane për ekstradimin e Radojçiqit

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar SHBA-së trysni mbi Serbinë, me qëllim për ta ekstraduar Milan Radoiçiqin në Kosovë, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë. E ka bërë këtë, në takimin që ka pasur me senatorë amerikanë, në margjina të Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar të mërkurën presion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbi Serbinë, gjatë takimeve që ka pasur me dy senatorë amerikanë, në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike, në të cilën ka marrë pjesë.

Në një njoftim të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se në takimin me senatorin Chris Murphy, është biseduar lidhur me zhvillimet në vend, situatën e sigurisë dhe raportet me Serbinë.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet në njoftimin për takimin me senatorin Murphy, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, është në listën e zezë amerikane për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar.

Gjatë vizitës në Chicago, kryeministri Kurti ka takuar edhe senatorin tjetër Peter Welch.
Kurti shkroi në rrjetin social “X” se Welch është një mik i Kosovës, që e vizitoi vendin menjëherë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Kemi diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe politik, por edhe shqyrtimin e rrugëve të reja të bashkëpunimit. Gjithashtu theksova progresin e rëndësishëm që Kosova ka bërë dhe punën e qeverisë për të mirën e të gjithë shoqërisë, siç është rasti me vendimin për shkollim të lartë falas”, ka shkruar kryeministri.

Kurti po qëndron në Çikago të SHBA-së me ftesën e organizatës NDI, si mysafir në Konventën e Partisë Demokratike ku u zyrtarizua kandidimi i Kamala Harris për presidente të Amerikës dhe të guvernatorit Tim Waltz për zëvendës president.