Arbëri

Kurti: Jam i gatshëm dhe i vullnetshëm që sa më parë ta mbajmë mbledhje me Qeverinë e Shqipërisë

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, në konferencën e mbajtur me homologun e tij maqedonas Hristijan Mickoski, pas mbledhjes së dy qeverive që u mbajt të hënën në Prishtinë, ka thënë se është i gatshëm që sa më parë Qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje edhe me Qeverinë e Shqipërisë. 

“Sa i përket mbledhjes me Republikën e  Shqipërisë, të të dy qeverive tona, ne tashmë i kemi mbajtur dy mbledhje. Tani jemi barazuar sepse edhe me Maqedoninë e Veriut i kemi mbajtur dy mbledhje. Unë jam i gatshëm dhe i vullnetshëm që sa më parë ta mbajmë mbledhjen me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, është shprehur Kurti. 

Ai ka thënë se zbatimi i 58 marrëveshjeve të nënshkruara me Shqipërinë në dy mbledhjet e para ka shkuar jashtëzakonisht mirë, përkundër faktit që në këtë mandat nuk është organizuar një mbledhje e tretë.

Mbledhja e dy qeverive dështoi të mbahej në qershor të vitit të shkuar, pas anulimit të pjesëmarrjes nga kryeministri Rama, shkaku i dallimit në qëndrime me kryeministrin Kurti.
Ndonëse mbledhja nuk u mbajt, Kosova dhe Shqipëria në distancë nënshkruan dhjetëra marrëveshje, pjesa më e madhe e të cilave, sipas Qeverisë së Kosovës, është zbatuar.

Ndërkohë në konferencë me Mickoskin, Kurti ka folur edhe për rritjen e shkëmbimit tregtar me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se është optimist që vlera e tij të arrijë në gjysmë miliardi euro. 
“Sa i përket shkëmbimeve tregtare, ato po rriten ndër vite. Unë jam shumë optimist që do ta arrijmë gjysmë miliardëshin, sa i përket eksporteve të Kosovës në përgjithësi, po ka sukses me eksportet e industrisë së lehtë, pijet dhe ushqimi, përpunimi i lëkurës dhe tekstili, përpunimi  drurit, këto janë fushat që Kosova ka më shumë eksport”, ka theksuar Kurti. 

Ai ka folur edhe për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, për të cilën ka thënë se duhet pritur vendimi i Gjykatës kushtetuese atje. 

“Me çfarë kam kuptuar unë kjo është çështje e gjykatës kushtetuese në Maqedoni të Veriut pasi tri dispozitat për përdorimin e gjuhëve janë dërguar në Komisionin e Venecias dhe këto tri dispozita paradoksalisht nuk janë vënë në jetë në të kaluarën. Duhet ta sqarojmë një gjë, nuk ka në Maqedoni të Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe e as nuk ka pasur në të kaluarën, ka ligj për përdorimin e gjuhëve. Duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje. Dëshirojmë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut dhe për këtë do të bashkëpunojmë”, ka deklaruar Kurti.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti me Hristijan Mickoskin

Sot mbledhja e përbashkët qeveritare Kosovë - Maqedoni e Veriut

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut sot mbajnë mbledhje të përbashkët në Prishtinë. ...