Arbëri

Kurti ftohet sërish për dëshmi nga Prokuroria, insiston që prokurorët t’i shkojnë në zyrë

Albin Kurti

Foto: Alban Bujari

Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. 

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Por ai ka thënë se kabineti i kryeministrit në përgjigjen ndaj kësaj ftese ka ritheksuar gatishmërinë e e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. 

“Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër”, është shprehur Kryeziu. 

Ai ka thënë se presin një përgjigje pozitive meqë sipas tij, “sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga Prokuroria lidhur me këtë, por as prokurori i rastit Valdet Gashi e as zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi nuk u janë përgjigjur thirrjeve. 

Kryeministri Kurti, të hënën e kësaj jave, nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar për rastin e rezervës shtetërore, me arsyetimin se është jashtë vendit. 

Prokuroria Speciale në bazë të thirrjes për dëshmi që ka publikuar vetë zëdhënësi i Qeverisë e ka paralajmëruar kryeministrin se mund të gjobitet me 250 euro për secilën mosparaqitje dhe të burgoset nëse shpërfill thirrjen e Prokurorisë për të dhënë dëshmi pa dhënë arsye të qenësishme. 

Numri i lëndës në ftesën që e kanë publikuar zyrtarët e Qeverisë përputhet me numrin e asaj për rezervat shtetërore, për të cilin rast u patën arrestuar vitin e kaluar biznesmeni Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.