“Duhet ta tërheqin atë letrën e ish-kryeministres Bërnabiq, me të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej Marrëveshjes bazike dhe Aneksit së zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë, nuk e respekton integritetin territorial dhe nuk do ta pranojë ulësen e Kosovës në OKB. Po ashtu, duhet që të nënshkruhet Marrëveshja bazike në mënyrë që të tregohet mirëbesimi si një garanci edhe juridike për zbatimin e marrëveshjes. Një marrëveshje e panënshkruar po shihet që është marrëveshje shumë kollaj për t’u mos u respektuar e për të mos u zbatuar”, ka thënë Kurti
Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur të enjten se garancia e vetme juridike për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit është nënshkrimi i tyre nga Serbia.
Tek e ka komentuar refuzimin e Beogradit zyrtar për ta zbatuar ujdinë për të cilën palët në dialog janë pajtuar gojarisht në Bruksel dhe në Ohër gjatë vitit të shkuar, Kurti i ka numëruar hapat që duhet ndërmarrë në mënyrë që marrëveshjet të vihen në zbatim.
“Duhet ta tërheqin atë letrën e ish-kryeministres Bërnabiq, më të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej Marrëveshjes bazike dhe Aneksit të zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë, nuk e respekton integritetin territorial dhe nuk do ta pranojë ulësen e Kosovës në OKB. Po ashtu duhet që të nënshkruhet Marrëveshja bazike në mënyrë që të tregohet mirëbesimi si një garanci edhe juridike për zbatimin e marrëveshjes. Një marrëveshje e panënshkruar po shihet që është marrëveshje shumë kollaj për t’u mos u respektuar e për të mos u zbatuar”, ka thënë Kurti.
Për dialogun ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani në një intervistë për televizionin publik të Polonisë, gjatë së cilës ka theksuar se Bashkimi Evropian (BE) duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë rrugën që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët.
“Nëse përçohen mesazhe të forta ndaj Serbisë, ajo do ta kuptojë plotësisht se nuk mund t’i marrë paratë e Evropës pa vlerat e Evropës. Për momentin ky nuk është rasti, por këto duhet të shkojnë krah njëra-tjetrës. Nëse Serbia do ta marrë këtë mesazh të qartë nga BE-ja, që nuk duket se në këtë pikë është duke ndodhur, do t’i kthejë ata pastaj në drejtimin e duhur, që është normalizimi i marrëdhënieve me të gjithë fqinjët, sepse ata nuk po shkaktojnë probleme vetëm në raport me Kosovën, por po ashtu kundër Bosnjë-Hercegovinës e vendeve të tjera në rajon”, ka theksuar Osmani.
Ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar takime në nivel të kryenegociatorëve, pas vizitave që i ka zhvilluar në Prishtinë dhe në Beograd.
I pyetur në Prishtinë për letrën e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, dërguar BE-së, e në të cilën thuhej se Beogradi zyrtar nuk i zbaton pikat e marrëveshjeve që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, Lajçak pati deklaruar se dokumenti është tërhequr.
“Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu dhe atje që nuk ndihmojnë fare. Por që marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçaku javën e shkuar.
Pas Samitit të liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në dhjetorin e shkuar, Serbia ka shprehur mospajtimin me një pjesë të Marrëveshjes, për të cilën është pajtuar gojarisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimet e fundit në nivel të kryenegociatorëve janë zhvilluar në pjesën e parë të vitit, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore (BQK), që e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë. Por nuk është arritur ndonjë dakordim.
E takime në Bruksel, në nivel të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, nuk janë mbajtur që prej një viti.
Për herë të fundit kryeministri Kurti dhe Vuçiqi janë takuar më 14 shtator të 2023-tës, pak ditë para sulmit terrorist në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Një përpjekje e BE-së për t’i ulur bashkë në tryezë pati dështuar në qershor, për shkak të atyre që u kualifikuan si kushte që i ka vënë Kurti e që i ka kundërshtuar Vuçiqi.
Në Qeveri nuk kanë treguar nëse është duke u shqyrtuar mundësia për mbajtjen e një takimi të ri midis Kurtit e Vuçiqit.
Kryeministri Kurti qe pyetur lidhur me këtë gjatë vizitës që ai e ka bërë në Mitrovicë të Veriut të martën, por ai ka thënë të mos jetë në dijeni nëse takim do të ketë.
“Edhe nëse do të ketë, nuk e di se kur dhe cilat do të jenë temat. Duhet të dimë më shumë për të dhënë një përgjigje”, pati thënë Kurti.