Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i tronditur me gjuhën seksiste që u përdor në një aktgjykim të Gjykatës së Gjilanit.
Për rastin e dhunimit të një gruaje në vitin 2012, Gjykata e Gjilanit kishte lëshuar një aktgjykim seksist.
“Duke pasur parasysh këtë sjellje të të dëmtuarës që me lehtësi ka pranuar të udhëtojë me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, jep të kuptojë logjikisht se e njëjta vërtetë ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të bredhjes së saj dhe shoqërimit me meshkuj. Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale, duke përfshirë edhe të akuzuarin e parë i cili ka qenë me moshë më i shtyrë se e dëmtuara. Vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”, thuhet në këtë aktgjykim.
Kurti ka thënë se sot në ora 15:00 do të vizitojë departamentin përkatës në Policinë e Kosovës që merret me luftimin e dhunës ndaj grave e në veçanti vajzave. Ai do të jetë së bashmu me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Rasti i Gjilanit është dëshmi se sa e thellë duhet të jetë reforma në drejtësi. Gratë dhe vajzat fatkeqësisht vazhdojnë të jenë viktima të normave diskriminuese e të cilat kanë gjetur vend edhe aty ku më së paku njerëzve ua merr mendja që do të ishin të pranishme, në vet sistemin e drejtësisë. Gjuha e aktgjykimit të tillë e vendimit të tillë gjyqësor është e papranueshme. Jam i tronditur me atë lloj gjuhe që është përdorur. Duke mos e ditur konkretisht rastin, jemi njoftuar aq me sa mund të lexojmë. {farë kam lexuar është e papranueshme”, ka thënë Kurti.