Arbëri

Kurti i pret në zyrë qytetarët nga Bosnja që hynë pa viza në Kosovë

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi, ka pritur në ndërtesën e qeverisë grupin e parë të qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës që hynë në Kosovë vetëm me letërnjoftim, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës që u mundëson hyrjen Në Kosovë pa viza. 

Në njoftimin e Kry6eministrisë thuhet se ky grup përbëhet nga ambasadorë, intelektualë, profesorë universitarë, akademikë e biznesmenë nga Bosnjë-Hercegovina, si dhe anëtarë të bashkësisë shqiptare atje. 

"Ne kemi pritur gjatë për diçka që është elementare, lirinë e lëvizjes dhe tani duhet të kompensojmë kohën e humbur, prandaj konsideroni se në Qeverinë e Kosovës e keni një partner që gjithmonë dëshiron që ju të vini në Kosovë dhe të bashkëpunojmë sa më shumë dhe sa më shpesh", citohet të ketë thënë Kurti në takim. 

Kryeministri thuhet se ka theksuar se Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, si shtete mike, duhet të ndërtojnë ura të reja ekonomike, arsimore dhe kulturore, që kontribuojnë në sigurinë e rajonit tonë dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve. 

“Ai shtoi se ekzistojnë forca të ndryshme politike që mund të na vënë pengesa, por këto pengesa vetëm sa na kalisin për sfidat e ardhshme, të cilat do t’i fitojmë. Ky grup do të qëndrojë në Kosovë disa ditë, ku do të zhvillojnë takime të ndryshme me përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, si dhe do të vizitojnë qytete të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Që nga 1 janari qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime në Kosovë, pas marrëveshjes së arritur në kuadër të Procesit të Berlinit. 

Kryeministri Kurti, në tetor kishte njoftuar gjatë Samitit të Procesit të Berlinit se Kosova do t’ua heqë vizat qytetarëve të Bosnjës, ndonëse Bosnja nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen dhe se qytetarëve të Kosovës u kërkohet viza të hyjnë në Bosnjë.