Arbëri

Kurti i kthen në fushatë takimet jashtë vendit

Gjatë dy javëve të fundit, kryeministri Kurti ka udhëtuar në Gjermani dhe në Francë. Për dy ditë radhazi ai ka takuar simpatizantë të LVV-së në Mynih, Shtutgart, Këln e Berlin, përpara se të merrte pjesë në Samitin e Berlinit. Njëjtë ka vepruar edhe gjatë vizitës në Francë, ku është takuar me bashkatdhetarë në Paris. Lulzim Veliu, përfaqësues i diasporës në Gjermani, i ka kualifikuar takimet e tilla si të tepruara, teksa ka shtuar se ato janë duke u përdorur për konsum elektoral. Por profesori Arben Fetoshi, i sheh si “krejtësisht normale” angazhimet e tilla të kryeministrit gjatë zhvillimit të agjendave zyrtare, teksa ka shprehur pritjen për intensifikimin e tyre gjatë javëve në vijim

Afrimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit ia ka shtuar obligimet kryeministrit, Albin Kurti. Krahas detyrave si udhëheqës i Qeverisë, ai nuk po i lë mënjanë edhe ato si kryetar i partisë kryesore në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). 

Fundin e mandatit si kryeministër, Kurti është duke e shfrytëzuar edhe për të bërë fushatë për LVV-në ani se zgjedhjet janë katër muaj larg dhe fushata zgjedhore zyrtarisht ende nuk ka filluar. Gjatë udhëtimeve jashtë Kosovës, ai krahas atyre zyrtare, është duke zhvilluar takime me simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u bërë thirrje, mes tjerash, për t’u regjistruar sa më parë si votues nga diaspora.

Gjatë dy javëve të fundit, kryeministri Kurti ka udhëtuar në Gjermani dhe në Francë. Për dy ditë radhazi ai ka takuar simpatizantë të LVV-së në Mynih, Shtutgart, Këln e Berlin, përpara se të merrte pjesë në Samitin e Berlinit.

Njëjtë ka vepruar edhe gjatë vizitës në Francë, ku është takuar me bashkatdhetarë në Paris. 

Lulzim Veliu, përfaqësues i diasporës në Gjermani, i ka kualifikuar takimet e tilla si të tepruara, teksa ka shtuar se ato janë duke u përdorur për konsum elektoral.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me takim me bashkatdhetarët, por kemi të bëjmë me takime me bashkëpartiakët e zotit Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Kanë kaluar katër vjet pushtet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga kryeministri Kurti dhe ata asnjëherë nuk kanë gjetur kohën dhe mundësinë për t’i takuar bashkatdhetarët”, ka thënë Veliu, kryetar i shoqatës “Identiteti”.

Ndryshe prej tij, profesori Arben Fetoshi, i sheh si “krejtësisht normale” angazhimet e tilla të kryeministrit gjatë zhvillimit të agjendave zyrtare, teksa ka shprehur pritjen për intensifikimin e tyre gjatë javëve në vijim.

Por ai ka thënë që në raste të tilla është me rëndësi që takimet me bashkatdhetarë dhe me bashkëpartiakë të mos kenë ndikim negativ në ato që Kurti i zhvillon në cilësinë e kryeministrit.

“Në këtë situatë, mendoj që do të duhej që aktiviteti për atë që quhet fushatë e përhershme tashmë si rezultat i zhvillimeve në medie në përgjithësi të mos i pengojë aktivitetin, agjendën dhe cilësinë e punëve të kryeministrit si udhëheqës i Qeverisë së vendit tonë, pavarësisht që është krejt normale që në krye të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekt politik, Albin Kurti të përkushtohet edhe në një komunikim me votuesit potencialë për zgjedhjet e nëntë shkurtit, gjithmonë duke pasur parasysh që edhe nga partitë e opozitës kemi pasur aktivitete të ndryshme në diasporën tonë”, ka thënë Fetoshi.

Takimet e zhvilluara në Gjermani në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, e të cilat, sipas Qeverisë, janë organizuar nga partia, kanë zënë vend në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit. Por në të ka munguar njoftimi mbi takimin në Paris.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, i ka numëruar për KOHËN takimet që Kurti i ka zhvilluar gjatë qëndrimit në Gjermani si dhe në Francë. Në mesin e tyre, ai ka përmendur takimin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, në Berlin, pjesëmarrjen në Forumin Ekonomik të Kosovës si dhe takimin me ministrin për Evropë të Francës, Benjamin Hassad, në Paris.

Kryeziu ka thënë se thirrjet për tubimet e LVV-së janë për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në shtetet dhe qytetet ku ka udhëtuar kryeministri.

“Organizatorë të këtyre tubimeve janë qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë, ndërkaq thirrja për këto tubime është për gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtetet/qytetet përkatëse. Kryeministri Kurti ka qëndruar të premten në Paris të Francës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Kosovës në Paris, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit që për qëllim ka prezantimin e mundësive që Kosova ofron për investitorë të huaj. Krahas kryeministrit Kurti, në këtë forum morën pjesë edhe ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ministrja Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Rikujtojmë se gjatë qëndrimit në Gjermani, kryeministrit Kurti mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. Në kuadër të atij qëndrimi, ai gjithashtu kishte zhvilluar një takim bilateral me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe një takim tjetër bilateral me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani. Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Francë, kryeministri Kurti u takua me ministrin e Francës për Evropë, Benjamin Haddad, që po ashtu ishte i pranishëm në Forumin Ekonomik të Kosovës në Paris. Njoftimet për agjendën e kryeministrit dhe udhëtimeve të tij jashtë vendit do të bëhen gjithmonë me kohë”, ka thënë Kryeziu.

Lidhur me pyetjet e KOHËS rreth aranzhimit të tubimeve me bashkatdhetarë, të shpenzimeve për to dhe për koordinimin me agjendën zyrtare të kryeministrit Kurti, në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë kthyer përgjigje prej ditësh.