Pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Ai ka thënë se nese këto përzihen, do t’i bëjnë dëm të pariparueshëm dialogut në Bruksel dhe KiE-së, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas Kurtit, neni 7 i Marrëveshjes Bazike ku flitet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit, “nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”.
Ai ka shtuar se kjo s’duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër.
“Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel”, thuhet tutje në njoftim.
Kurti iu ka thënë përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, thuhet tutje, derisa kreu i ekzekutivit të Qeverisë u tha se i ka bërë thirrje vendeve të QUINT-it ta mbështesin anëtarësimin më 17 maj.
Ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it i kanë shkuar të hënën kryeministrit Albin Kurti në zyrën e tij në ndërtesën e Qeverisë.
Takimi mes ambasadorëve dhe Kurtit ka përfunduar.
Nuk dihet se cila ka qenë tema e takimit dhe nëse është takim i rregullt, por KOHA është duke pritur përgjigje nga Qeveria për të kuptuar më shumë informata.