Arbëri

Kurti i kërkon diasporës shqiptare të votojnë për partitë socialdemokrate në BE

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për diasporën shqiptare që të votojnë për partitë socialdemokrate në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Kurti ka thënë se çdo votë ndaj partive të tilla e mbron Evropën nga “kërcënimet serioze” të së djathtës ekstreme.

“Me afrimin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të diasporës sonë që të ushtrojnë të drejtën e votës. Çdo votë e vetme llogaritet në mbështetjen e politikanëve dhe partive – të tilla si socialdemokratët – që me të vërtetë mbrojnë demokracinë dhe Evropën kundër kërcënimit serioz të së djathtës ekstreme”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

Vendvotimet e para për zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë hapur në shtetin e Holandës të enjten. Procesi i votimit do të zgjasë katër ditë, teksa shtetet e tjera do t’i hapin vendvotimet nga e premtja deri të dielën. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se qytetarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e votës nëse e duan një Evropë të fortë.