Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje bizneseve që ta forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë.
Ai ka thënë të martën se Qeveria e suksesshme e ndihmon sektorin privat, e sipas tij, konkurrueshmëria ekonomike “do të sjellë prosperitet dhe mirëqenie”.
“Mirëqenien e qytetarëve tanë. U bëj thirrje bizneseve tona të vazhdojnë ta forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës. Javën e kaluar e inauguruam programin kompakt të MCC-së një projekt historik”, ka thënë Kurti.
Kurti, njëherit kryetar i këtij Këshilli, ka thënë se janë identifikuar 6 miliardë euro investime në infrastrukturë të re dhe për ta përmirësuar atë aktualen.
“Me kalimin e kohës ne do të bashkërendisim dialogun tonë në mënyrë që Qeveria dhe sektori privat të kenë qartësi se si të përmirësojmë të bërit biznes”, ka shtuar ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përmendur disa prej veprimeve që Qeveria i ka ndërmarrë për energjinë.
“Në fund të vitit të kaluar kemi hapur skemën për subvencionim të pajisjeve për ngrohje efiçiente. Më 6 shkurt kemi shpallur thirrjen për mbështetjen e konsumatorit familjar duke përfshirë edhe sistemin solar fotovoltaik. Më 4 mars kemi lansuar bursën shqiptare të energjisë elektrike. Kjo është një arritje e madhe për sektorin e energjisë duke qenë se më në fund e kemi një treg që është transparent. Tregtimi i energjisë është më i lehtë dhe konsiderohet se do të mundësojë rritjen e investimeve lokale dhe të huaja”, ka thënë ajo.
Sipas Rizvanollit, Kosova është e para në rajon dhe ka shumë investime në sektorin e energjisë.
“Është shumë e rëndësishme që pjesëmarrja e kompanive ndërtimore në procese tenderuese të jetë më e madhe. Dhe kompanitë prodhuese materialeve ndërtimore dyer, dritare e të tjera është mirë të përgatiten për të prodhuar produkte efiçiente”, shtoi ajo.