Partitë politike parlamentare nuk i kanë përfillur afatet e KQZ-së për të aplikuar për certifikim e për t’i dorëzuar me kohë listat e kandidatëve për deputetë. KQZ-ja duke arsyetuar vonesën me vështirësitë në përdorimin e platformës online ka marrë vendim që afatin ta shtyjë deri në mesnatën e 11 dhjetorit. Listave të partive kryesore u prijnë kandidatët për kryeministër - Albin Kurti (LVV dhe partnerët), Bedri Hamza (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK dhe partnerët)
Lëvizja Vetëvendosje ka pritur minutat e fundit të afatit ligjor për dorëzimin e listës prej 110 kandidatëve për deputetë. Afati ligjor për dorëzimin e listës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është dashur të përfundojë në orën 16 të ditës së mërkurë, por meqë asnjëra nga partitë e mëdha nuk ka dorëzuar përbërjen finale të tyre, ajo është zgjatur deri në orën 24:00 të së njëjtës ditë.
Listës së LVV-së do t’i prijë lideri i saj dhe kryeministri aktual, Albin Kurti. Pas tij renditet kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e si e treta kryetarja e Listës Guxo dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Mimoza Kusari-Lila si kryetare e Alternativës është e teta në renditje, pas deputetit Avni Dehari dhe ministrave - Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit e Xhelal Sveçlës. Top 10-shja e këtij subjekti përmbyllet me ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin e deputeten Shqipe Mehmeti-Selimi.

Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), listës së kandidatëve për deputetë do t’i prijë pretendenti për kryeministër Bedri Hamza. Ndërkaq, numrin 2 në këtë listë e bart kryetari Memli Krasniqi. PDK-ja i ka rikandiduar ligjvënësit aktualë të saj. Kanë kandiduar edhe ish-deputetë e ish-ministra të kohës sa ka qeverisur me Kosovën. Në mesin e atyre që synojnë postin e deputetit ka edhe ish-nënkryetarë të Komunave, por jo kryetarë aktualë, përveç Hamzës që drejton Mitrovicën e Jugut.

Pas orës 16:00, njoftimin për aplikim dhe dorëzimin e listës e bëri Lidhja Demokratike e Kosovës, e vetmja parti parlamentare që prej ditësh i publikoi emrat e kandidatëve për deputetë.
Bartës i listës do të jetë kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, që e synon edhe postin e kryeministrit. Top 10-shen e saj e përbëjnë pesë deputetë dhe kryetarë e ish-kryetarë të komunave.
LDK-ja do t’i rikandidojë të gjithë deputetët aktualë, përveç Agim Veliut që nuk është përfshirë në listë.

Listë me emra të kandidatëve publikoi edhe AAK-ja. Aty numrin një e bart kryetari Ramush Haradinaj, e pas tij është udhëheqësi i Nismës, Fatmir Limaj.
Në listë, AAK-ja ka deputetë e ish-deputetë, si dhe të gjithë kryetarët e komunave që i udhëheq. E mes kandidatëve është edhe Isni Kilaj, që ndodhet në paraburgim në Hagë me akuzat për tentim të pengimit të drejtësisë në rastin e gjykimit të ish-drejtuesve të UÇK-së.

Partitë politike nuk e kanë respektuar afatin e caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë, ndonëse kanë pasur kohë më shumë se tre muaj. Në kohën kur afati duhej të ishte i mbyllur, sipas ligjit, partitë prezantuan aderime të reja. Deri në orën 15:00, KQZ-ja njoftoi se listat i dorëzuan 10 subjekte politike, prej tyre asnjë shqiptare. Për shkak të vonesës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka arsyetuar vendimin e subjekteve politike.
“Këtë vendim, KQZ e mori... duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës”, theksoi Elezi.
Por shtyrja e afatit u bë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, neni 16 i të cilit thotë se aplikimet për certifikim mund të dorëzohen në çdo kohë gjatë orëve të rregullta të punës, deri 60 ditë para zgjedhjeve.
Eugen Cakolli, nga KDI-ja, thotë se shtyrja nuk u bë për problemet me sistemin, por shkaku i vonesave të partive që patën kohë 102 ditë.
“Ndonëse faji për këtë shtyrje po tentohet t’u lihet problemeve të platformës online, në fakt, fajtorët e vetëm janë partitë (sidomos ato të mëdha) që nuk e kanë marrë seriozisht procesin, duke i lënë aplikimet për momentet e fundit. E sistemi online, si zhvillimi më pozitiv i KQZ-së në këto zgjedhje, ka funksionuar si është më së miri. Për më keq, vendime dhe arsyetime të tilla e cenojnë besimin e publikut në punën e KQZ-së dhe në tërë procesin zgjedhor”, ka thënë Cakolli.
Në kohën kur afati duhej të ishte i mbyllur, sipas ligjit, partitë prezantuan aderime të reja. Deri në orën 15:00, KQZ-ja njoftoi se listat i dorëzuan 10 subjekte politike, prej tyre asnjë shqiptare.
“Prej datës 1 shtator deri në këto momente gjithsej kanë aplikuar për certifikim 10 subjekte politike”, ka deklaruar Besnik Buzhala, përfaqësues i Zyrës për regjistrim të partive politike.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrë pjesë edhe Lista Serbe, e cila nga nëntori i 2022-tës e ka bojkotuar Kuvendin dhe që atëherë nuk ka marrë pjesë në dy procese zgjedhore të mbajtura në veri. Kjo parti do t’i ketë 48 kandidatë, mes tyre edhe ish-deputetë e deputetë aktualë.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.
Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Kjo mundësi u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të jepte dorëheqje apo të shkarkohej. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.