Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar rreth raportimeve se është dënuar me 250 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mos paraqitjes në Prokurorinë Speciale (PSRK) për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Ai ka thënë se ndonjëherë e dënojnë atë, mirëpo ka sugjeruar që gazetarët të mos mërziten për këtë.
“Më dënojnë mua nganjëherë por mos u mërzitni ju”, ka deklaruar Kurti, raporton KP.
Këto komente Kurti i bëri pas përurimit të çerdhes në lagjen “Rezinë” të Gjakovës.
Lidhur me gjobë, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Qeveri e edhe në Gjykatën Themelore, por ata nuk janë përgjigjur.
Kurti është paralajmëruar që nga fundviti i kaluar se nëse nuk dëshmon në prokurori, do të gjobitet.
Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që prokurorët t’i shkojnë në zyrë dhe ka thënë se ka precedent për këtë, por gjykata e ka urdhëruar atë që të dëshmojë në prokurori.
Kurti është ftuar të dëshmojë lidhur me dyshimet e prokurorisë në rastin e rezervave shtetërore. Prokuroria dyshon se shteti është dëmtuar me rreth 600.000 euro gjatë blerjes së produkteve për rezervën shtetërore.