Arbëri

Kurti ende s’e ka lexuar raportin e SHBA-së për Ujmanin, në Serbi nis shqyrtimi i tij

Ujmani - Marreveshja e Washingtonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk e ka lexuar raportin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Mirëpo, ai thotë se nuk i ka ndryshuar qëndrimet sa i përket kësaj çështjeje. Ndërkohë, në Serbi ka nisur shqyrtimi i tij.

Kanë kaluar 48 orë prej kur Qeveria e Kosovës e ka pranuar raportin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, shefi i Qeverisë, Albin Kurti, ende nuk e ka lexuar këtë raport.

“Nuk e kam lexuar ende raportin. Kemi zyrtarët profeisonistë që merren me këtë gjë...”, ka thënë Kurti.

As gjatë ditës, i pari i Ekzekutivit, siç tha, nuk ka arritur t’ia hedhë një sy raportit për Ujmanin që si rekomandim ka menaxhimin e përbashkët me Serbinë.

“Për besë gjatë ditës s’kam mbërri ta lexoj. Porsa ta lexojnë ekspertët tanë profesionistë do t’u jap përgjigje”, është shprehur ai.

Por, kur u pyet për formimin e një komisioni lumor, Kurti shtoi se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket bashkëpunimit me Serbinë për menaxhim të Ujmanit.

“Sa i përket qëndrimeve për Ujmanin ne qëndrojmë prapa të gjitha qëndrimeve tona që i kemi thënë deri më tani e për raportin më të ri që ka dalë para se të flasim ne duhet ta lexojnë e studiojnë ekspertët tanë profesionistë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës ende nuk e ka lexuar këtë raport, në Serbi ai është shpërndarë te institucionet përkatëse për shqyrtim.

E ashtuquajtura Zyra për Kosovë e këtij shteti vetëm ka konfirmuar se analiza e ekspertëve amerikanë u është ofruar institucioneve të tyre relevante.

“Zyra për Kosovë dhe Metohi, këtë material ua ka dorëzuar të gjitha institucioneve relevante shtetërore të cilat janë të përfshira në këtë sektor, në mënyrë që ekspertët tanë të munden në detaje të njihen me raportin dhe të japin sugjerimet e tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj zyre.

Raporti i Departamentit Amerikan për Energji ka nxjerrë katër rekomandime për shfrytëzim të Ujmanit nga palët e përfshira, të cilat parashohin përmirësimin e infrastrukturës së liqenit, formimin e një komisioni lumor, implementimin e një sistemi mbikëqyrës dhe përmirësimin e parashikimit të furnizimit me ujë.