Arbëri

Kurti e Vuçiqi nën trysninë për marrëveshje

Ambasadorët e QUINT-it u kanë shkuar të premten në zyre edhe kryeministrit të Kosovës e edhe presidentit të Serbisë, ndërkaq gjatë ditës janë telefonuar edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. Temë bisede ka qenë çështja e targave dhe dialogu Kosovë-Serbi, me fokus në elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme. Kryeministri Kurti ka insistuar se marrëveshja duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër

Është rritur intensiteti i trysnisë ndërkombëtare mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për një marrëveshje të shpejtë mes vendeve që përfaqësojnë. Ambasadorët e QUINT-it u kanë shkuar të dyve në zyre të premten, ndërkaq gjatë ditës janë telefonuar edhe nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

E, këtë javë, në Kosovë dhe Serbi ka qëndruar edhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ndërsa javën e ardhshme të dyja vendet do të vizitohen edhe nga Stuart Peach, i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe për dialogun.

Ndërkombëtarët janë duke shtyrë idenë që, në këtë fazë, marrëveshja të mbërrihet pa njohjen e ndërsjellë.

Por, sipas Qeverisë së Kosovës, të kundërtën e ka kërkuar kryeministri Kurti në takimin e së premtes me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, pas takimit të kryeministrit Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Sipas njoftimit, krahas procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në takim është diskutuar edhe për çështjet aktuale, me theks te zbatimi i Udhërrëfyesit për energjinë dhe zbatimi i vendimit të Qeverisë për targat e automjeteve, të lëshuara nga Serbia.

“Ai (kryeministri Kurti v.j.) po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të Udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë, duke i përmbushur obligimet tona në kohë rekord”, thuhet në njoftim. “Në lidhje me vendimin për targa, ai tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës. Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për t’i konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po e respektojmë sundimin e ligjit, edhe po u japim lehtësime financiare, u shpreh kryeministri Kurti”.

Gjatë vizitës në Kosovë, emisari amerikan Escobar ka kërkuar që zbatimi i vendimit për zëvendësimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në ato RKS, të shtyhet edhe për 10 muaj. Të njëjtën e ka kërkuar edhe BE-ja. Ndërkombëtarët druajnë që masat që mund t’i ndërmarrin autoritetet kosovare në raport me ngasësit që qarkullojnë me vetura që mbajnë targa ilegale edhe pas 1 nëntorit mund t’iu shërbejnë serbëve për ta destabilizuar veriun.

Ambasadorët në Beograd të vendeve të QUINT-it kanë takuar të premten edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit ia kanë shprehur shqetësimin për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, para përfundimit të afatit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të automjeteve me targa serbe, duke i konvertuar ato në RKS.

Ambasadorët kanë shprehur qëndrimin se nuk duhet luajtur me stabilitet në veriun e Kosovës, ku Serbia ka ndikim.

Sipas Presidencës serbe, edhe vetë presidenti Vuçiq ndan shqetësimet për tensionet e mundshme. Ai ka thënë se Serbia është e përkushtuar për dialogun si “mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura”.

Megjithatë, ai ka konsideruar se tensionet janë shkaktuar për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Kosovës.

E, pas takimeve me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuara, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, Kurti dhe Vuçiqi kanë pranuar telefonatë nga Borrelli.

Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës nuk janë dhënë detaje për përmbajtjen e bisedës mes Kurtit dhe Borrellit.

“Ata folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër dhe për çështje aktuale”, thuhet në njoftim. “Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë”.

E, Vuçiqi ka dhënë një njoftim të shkurtër për komunikimin që ka pasur me Borrellin.

“Një diskutim i hapur me kreun e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, për situatën në Kosovë... dhe për përparimin në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Serbia është e përkushtuar ta vazhdojë procesin dhe t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura”, ka shkruar presidenti serb në Twitter.

Për në muajin tetor ishte planifikuar një takim Kurti-Vuçiq në Bruksel, por BE-ja ende nuk ka konfirmuar nëse ai do të ndodhë.

Ndërkaq, emisari amerikan, Escobar, gjatë qëndrimit në Beograd ka deklaruar se SHBA-ja do t’i thoshte po një zgjidhjeje finale për të cilën Kosova e Serbia do të pajtoheshin në fund, edhe nëse në të s’do të përfshihej njohja reciproke.

Në një intervistë për “RTS-në”, Escobar ka thënë se SHBA-ja e konsideron njohjen reciproke Kosovë-Serbi si zgjidhjen më të mirë për dialogun. Megjithatë, ka theksuar se dialogu e ka për esencë gjetjen e një zgjidhjeje që u përshtatet palëve.

Ai i ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe se 24 shkurti është caktuar si datë e fundit për arritje të marrëveshjes finale. Por, ka përsëritur se SHBA-ja mbështet propozimin franko-gjerman, i cili kërkon që brenda një kohe të shkurtër Kosova dhe Serbia t’u japin zgjidhje shumë çështjeve të hapura, por jo edhe njohjes së ndërsjellë.