Arbëri

Kurti e Vitia përuruan ndryshimet në Radiologji, nuk flasin për mungesën e kontrastit

Për t’i përuruar renovimet e fundit që janë bërë në Klinikën e Radiologjisë, të hënë në këtë klinik qëndruan kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ata u lavdëruan për punën që po bëjnë në këtë sektor, por nuk pranuan të flasin kur u pyetën për mungesën e kontrastit në këtë klinikë, të cilin po detyrohen ta blejnë vetë pacientët me çmime të fryra.

Florinda Abazi

Pacientët e Radiologjisë vazhdojnë të përballen me mungesë të kontrastit, që është një prej përbërësve kyç në trajtimin e qytetarëve brenda kësaj klinike. Këtë tretësirë po detyrohen ta sigurojnë vetë pacientët, ani pse kontrata për furnizim me të është arritur më 25 nëntor.

Qytetarët ankohen se kontrasti në barnatoret private po iu shitet me çmime të fryra, pasi ato kanë kuptuar se ka mungesë në SHSKUK. 

Në këtë klinikë të hënën ishin kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për të përuruar renovimet e kryera në të. 

Kryeministri Kurti e ministri Vitia nuk e përmendën fare këtë problem, por u lavdëruan për, siç thanë, ndryshimet e bëra në inventarin e kësaj klinike. 

“Kemi trajtuar murin, plafonin, dyert, parmakët e shkallëve. Gjithashtu dyert në dalje, në korridore, ndriçimin, ventilimin, klimatizimin, prizat dhe instalimet elektrike dhe 7 copë sportele të reja që kanë ardhur dhe janë instaluar këtu, në mënyrë që gjithçka të jetë sa më efikase dhe cilësore. Ndërkaq, dyshemeja dhe shkallët kanë pasur një pastrim të thellë”, ka deklaruar Kurti.

E ministri Vitia ka përmendur investimet sistematike në sektorin e shëndetësisë. 

“Ne po bëjmë një investim të strukturuar, sistematik dhe të analizuar mirë në çdo klinikë në sistemin tonë shëndetësor. Jo vetëm në QKUK, por edhe në spitale regjionale”.

KOHA tentoi që të marrë një përgjigje nga ta, rreth situatës së krijuar deri më tani në mungesë të kontrastit, por ata nuk pranuan të prononcohen para mediave. 

Prapa kamerës, ministri Vitia i pyetur nga KOHA për abuzimet me çmime të larta të kontrastit nëpër barnatore private dhe punën e Inspektoratit Farmaceutik për inspektime paraprake, tha se kjo është përgjegjësi e SHSKUK-së.  

Përgjigje për këtë çështje nuk kanë kthyer gjatë ditës as nga SHSKUK-ja.