Arbëri

Kurti e Kamberi diskutojnë për zgjerim të mbështetjes për Luginën

Shaip Kamberi - Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, kanë diskutuar të enjten për mundësitë e zgjerimit të mbështetjes për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë nga Qeveria, në takim kanë marrë pjesë edhe kandidatët për kryetarë komunash në Preshevë e Bujanoc, Ardita Sinani e Ragmi Mustafi.

“Bashkëbisedimi u fokusua rreth situatës politike dhe të sigurisë në rajon, gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të mbështetjes për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, thuhet në komunikatën e së enjtes në mbrëmje.

Qeveria ka thënë se në buxhetin e sivjetmë ka ndarë 3 milionë euro për Luginën “jo vetëm për të ndihmuar në ruajtjen e kulturës e identitetit por edhe për të rritur mbështetjen për programe të tjera siç është ai i bujqësisë”

“Shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë ta kenë mbështetjen e palëkundur të Qeverisë së Republikës së Kosovës përballë diskriminimit e politikave shtypëse të Beogradit ndaj komunitetit shqiptar”, përfundon komunikata e Qeverisë.