Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar dhe se e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit me raketa.
Kurti në postim në platformën “X” ka thënë se e mbështet të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa. I bashkohemi qeverive tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit më 7 tetor, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar Kurti të martë mbrëma.
Postimi i Kurtit:
We are deeply concerned about today's missile attack by Iran on Israel, in which around 200 missiles were launched, and join other governments in condemning this aggression. A year after the October 7th Hamas terrorist attacks, the ongoing rise in violence is alarming. We support…
— Albin Kurti (@albinkurti) October 1, 2024
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se i dënon sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit, duke shtuar se mbështet të drejtën e shtetit izraelit “për mbrojtjen e popullit dhe vendit të vet”.
“E dënojmë sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit. Njëkohësisht e mbështesim të drejtën e Izraelit për mbrojtjen e popullit dhe vendit të vet. Po ashtu, mbështesim SHBA dhe aleatët në përpjekjet e tyre për një zgjidhje paqësore të konfliktit”, ka shkruar ai në Facebook.