Arbëri

Kurti: Duhet të marrë fund epoka e mosndëshkimit të krimeve serbe

Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 25-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi nga autoritetet serbe, duke thënë se epoka e mosndëshkimit të krimeve serbe “duhet të marrë fund”.

Kurti ka shkruar në rrjetin social X se askush s’është mbajtur përgjegjës për vrasjen e vëllezërve që ishin shtetas amerikanë.

“Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv menjëherë pas luftës. Agroni, Mehmeti dhe Ylli u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë, ndërsa duart e tyre ishin të lidhura. Megjithatë askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme nga Serbia duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti.

Në 25-vjetorin e vrasjes së tyre, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka kërkuar nga Serbia që ta përfundojë hetimin dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

“25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe. Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që të përfundojë hetimin e saj dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, ka shkruar Miller në platformën X.