Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takim me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi janë diskutuar çështje të aktualitetit politik, me theks të veçantë agjenda legjislative.
Sipas tij, kanë diskutuar edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, por edhe për mundësinë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt.
Ka thënë se PDK-ja e ka përcaktuar kandidatin për kryeministër, porse për datën e zgjedhjeve duhet të diskutojnë me të gjitha partitë.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti pë zgjedhje”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE dhe vendimi mbetet te Këshilli i Ministrave.
Kurti ka thënë se sonte kanë qenë të ftuara të gjitha partitë, duke shtuar se synon që t’i takojë edhe ato që nuk i kanë ardhur në takim.
Ai ka thënë se për shpërndarjen e Kuvendit duhet të jenë që të gjithë bashkë.
“Unë nuk mund ta përcaktoj datën e zgjedhjeve, por edhe po ta kisha mundësinë nuk do ishte në rregull që unë ta caktoj. Nuk shpërndahet Kuvendi me shumicë të thjeshtë, nevojiten 80 deputetë dhe ne nuk jemi opozita.. më lejoni që të shohim edhe pak diskutimin me dy partitë opozitare”, ka thënë ai.
Krasniqi pas takimit me Kurtin: Kosova është në agoni, zgjedhjet janë nevojë e jo dëshirë
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Krasniqi pas takimit ka thënë se i është përgjigjur ftesës së Kurtit, pasi sipas tij, është e rëndësishme t’ia shprehë qëndrimet e PDK-së drejtpërdrejtë.
Sipas tij, nuk ka asgjë të re nga takimi, pasi qëndrimet e tij me Kurtin nuk përshtaten.
Ka shtuar se preokupimet e qytetarëve, nuk janë preokupime të Kurtit.
I pari i PDK-së ka thënë se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundshme, pasi sipas tij, ato nuk janë dëshirë e tij por nevojë për vendin.
“Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit. Nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje të rëndë, arsim të degraduar dhe politikë të jashtme pothuajse inekzistente. Për më shumë një parlament jofunksional ku barten pikat nga muaji në muaj. Tani kemi edhe situatë të rënduar edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si duket do të jetë dështim. Ja shpreha edhe Kurtit që duhet përshpejtuar puna për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por për të arritur deri aty duhen zgjedhje parlamentare”, ka thënë ai.
Sipas tij, janë të gatshëm për të gjetur një datë të re të zgjedhjeve, për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.
Krasniqi ka thënë se ka punuar për këtë çështje pa luftuar që ta marrë flamurin e protagonizmit.
Sipas tij, zgjedhjet nuk janë dëshirë e PDK-së por nevojë e vendit.
Krasniqi ka thënë se nuk kanë diskutuar për draft-statutin e Asociacionit.
Ai ka thënë se mocionin për zgjedhje duhet ta bëjnë bashkë me partitë tjera dhe sipas tij, duhet të bëhet në muajin maj dhe jo më vonë.
Sipas tij, ftesën për takim e ka pranuar për t’u marrë me tema që iu interesojnë qyetarëve.
Në takim, përveç Kurtit e Krasniqit, kanë qenë të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare.
Nis takimi i Kurtit me Krasniqin
Ka nisur takimi në mes të kryeministri Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Në këtë takim përveç tyre po marrin pjese edhe shefat e grupeve parlamentare, Mimoza Kusari Lila nga Vetëvendosja dhe Abelard Tahiri nga PDK-ja.
Nga kjo parti kanë thënë se pjesëmarrja e Krasniqit në takim do të jetë në funksion të diskutimit për zgjedhje të reja parlamentare.
Kurti, ditë më parë ftoi takim me përfaqësuesit e partive opozitare për të diskutuar agjendën e miratimit të një numri ligjesh, por ftesës i është përgjigjur pozitivisht vetëm kreu i PDK-së.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (PDK), Ramush Haradinaj, ka thënë se tema për të cilën i ka ftuar Kurti u përket shefave të grupeve parlamentare.
E, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ia ka kthyer letrën Kurtit, duke thënë se ftesa për takim është e vonuar. Ai e ka akuzuar Kurtin për mbjellje të polarizimit ndaj partive politike.