Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pa drejtësinë për viktimat shqiptare, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore.
Në Akademinë Përkujtimore të masakrës në Studime të Vushtrrisë, Kurti ka theksuar se nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë të tillë krimi që u krye atje.
“Numri i masakrave është dëshmi e karakterit gjenocidal të shtetit serb. Presidenti aktual i shtetit serb është ministri i propagandës së asaj kohe. Pra, ne jemi të qartë në vullnetin tonë për drejtësi dhe në kërkesën tonë për vlerësimin e duhur të gjenocidit. Krimet kanë ndodhur para një çerek shekulli, por 25 vite janë më pak se vitet e karrierës së presidentit Serbisë. Mungesa e dënimit të krimineleve serbë është faji i dytë mbi viktimat pas përfaqësimit të shtetit serb prej ministrit të Milosheviqit. Pra, duhet drejtësi për viktimat dhe jo respekt për shtetin që nuk ka kuptuar asgjë sepse mohon çdo gjë”, ka thënë ai.
Kurti ka deklaruar se njohja e plotë e masakrave duhet të bëhet domosdo, sidomos kur Serbia edhe sot ndërmerr veprime agresioni, si ai në Banjskë.
“Duhet njohja e plotë dhe universale e masakrave në kushtet kur është po ajo Serbi që ndërmerr përsëri nisma si agresioni terrorist në Banjskë apo radhitja e forcave në kufi të vendi tonë. Përballë terrorizmit shtetëror ka vetëm një veprim: të bëhet drejtësia si domosdoshmëri universale për të gjitha viktimat. Ky është kushti i parë për paqen. Ky është kushti për stabilizimin e vërtetë të së ardhmes në rajon”, ka shtuar ai.
Në nderim të 116 civilëve shqiptarë, nga 11 deri në 84 vjeç, të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë në Studime, Kurti e presidentja Vjosa Osmani bënë homazhe te varrezat.