Parada e Krenarisë

Kurti: Disa njerëz janë më ndryshe, por të gjithë duhet të jemi të barabartë

Albin Kurti

Foto: Qeveria

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Parada e Krenarisë afirmon diversitetin dhe kundërshton stigmatizimin që po i bëhet nga shoqëria komunitetit LGBTIQ+.

Ai pas përfundimit të marshit të paradës ka thënë se Kosova garanton barazi për të gjithë qytetarët dhe se duhet të përjashtohen paragjykimet.

“Kjo paradë e afirmon diversitetin dhe e kundërshton stigmatizimin. Nëse besojmë në të drejtat e njeriut, atëherë duhet t'i flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe, disa njerëz janë shumë më ndryshe, por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë. Pikërisht barazia na e mundëson bashkimin, e pamundëson përjashtimin dhe e garanton gjithëpërfshirjen. Andaj, unë mora pjesë në këtë paradë, sepse shteti ynë i pavarur është republikë demokratike që nuk e përjashton asnjeri dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilin”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë se komuniteti LGBTIQ+ duhet të pranohet në shoqëri dhe se të drejtat e tyre nuk duhet cenuar.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se duhet t’i mundësohet secili person të jetë vetvetja dhe se ka ende shumë punë në këtë drejtim, pasi sipas tij komuniteti LGBTIQ+ po keqtrajtohet pa arsye. Ai shtoi se duhet përkrahur secilin qytetar derisa ata nuk e cenojnë sigurinë njëri-tjetrit. 

Me sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”, Paradës së Krenarisë i kanë prirë kryeministri Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ministrja e Drejtësisë,Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës,Hajrulla Çeku, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Parada ka nisur nga Sheshi “Skënderbeu” duke përfunduar te Biblioteka Kombëtare me një koncert. Pjesëtarë të këtij komuniteti, paradën e shoqëruan me muzikë e vallëzime. Me këtë aktivitet do të përmbyllet edhe Java e Krenarisë./KP