Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, kanë bërë homazhe pranë varrezave të vëllezërve Bytyqi, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të vrarë nga shteti i Serbisë, 25 vjet më parë.
Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezërit shqiptarë kishin vendosur ta përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbinë, që po shkonte drejt Kralevës. Gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët.
Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, ShBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim.
“Duke u kthyer tek varrezat e dëshmorëve, duke i rikujtuar ata, sakrificën edhe flijimin e tyre, i mirëmbajmë vlerat e luftës që na nevojiten neve më shumë se sa dëshmorëve dhe duke e ditur prej nga vijnë, ne e dimë edhe nga po shkojmë”, u shpreh Kurti pas homazheve, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit. “Idealet e dëshmorëve duhet të shndërrohen në programe politike e qeveritare, në projekte zhvillimore, në plane të punës e në aksione si të institucioneve ashtu edhe të shoqërisë”.
Vëllezërit Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”.