(E përditësuar) Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që t’ia ndalojnë ndihmën Serbisë dhe të sanksionohet për bashkëpunim me ata që janë në listën e zezë të SHBA-së.
Kurti ka thënë se duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë në perimetrin 5 kilometra rreth kufirit me Serbinë.
“Andaj edhe Perëndimit i bëjmë thirrje që Serbisë t’i kushtëzohen benefitet aktuale jo vetëm ato të ardhshme nga BE, Amerika e Mbretëria e Bashkuar. Duhet të sanksionohen ata që bashkëpunojnë me personat qe ndodhen në listë të zezë në Ballkan. Kjo lista e zezë me emrat e kriminelëve duhet të japë rezultate. Meqë Serbia disa herë e ka afruar ushtrinë afër kufirit, duhet rikthyer zona tokësorë e sigurisë në perimetrin 5 km rreth kufirit të Serbisë. Këtë po e keqpërdor regjimi i Aleksandër Vuçiqit që po sjell artileri përbrenda këtij rripi 5 km”, ka thënë ai në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Kryeministri është shprehur se presidenti serb ka për qëllim ta dëmtojë tërësinë territoriale të Kosovës.
Ndërkaq, ka thënë se veprimet e Qeverisë që janë quajtur të njëanshme, janë të ligjshme për një shtet sovran.
“Ata që ankohen për veprimet tona unilaterale janë duke u ankuar pse e kemi shpallur pavarësinë. Sundimi i ligjit për shtetin sovran është sikurse frymëmarrja. Frymëmarrja është e njëanshme, përveç te ndihma e parë ndoshta. Por Kosova mund të ketë pasur nevoje për ndihmë të parë në pranverën e 1999 por është shtet sovran i pavarur. Sulmet që na bëjnë janë dëshmi e suksesit tonë. Përpjekja e tyre për një makinë kohore qe i kthen para vitit 1999, para 2008, a para 2021 është shprehje e karakterit revizionist të regjimit në Serbi dhe kjo gjen mbështetje te kushtetuta agresive e Serbisë. Ajo duhet të ndryshojë. Të gjitha angazhimet tona nuk janë të bazuara thjesht në vullnet të popullit e në ligj por edhe në vlerat demokratike”.
Kurti mesazh bashkëpartiakëve: Lexoni idetë para se t’i futeni garës
Kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar punën e Qeverisë së tij derisa ka folur në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën. Aty ka thënë se shteti është tash më mirë “se që e gjetëm në pranverën e 2021-tës”.
Sipas tij, në gati katër vjet qeverisje është ngritur punësimi, drejtësia e ekonomia, si dhe siguria. Ndërsa, ka thënë se Qeveria e tij e pati të vështirë qeverisjen për shkak të kërcënimeve nga Serbia. Kurti ka shtuar aty se vështirësia erdhi sepse nuk u pajtuan për kompromise me Serbinë si Qeveritë e kaluara.
“Në njërën anë ekonomia e vendit tonë apo GDP është rritur për 33 për qind ndërkaq buxheti i shtetit 35 për qind. Të hyrat tatimore janë 40 për qind më të larta se më 2021, kur krahasohemi me veten jo me të tjerët. E kemi rritur dy herë pagën minimale. Kjo rritje ekonomike nuk është bërë në kurriz të demokracisë apo të drejtave të njeriut. Përkundrazi ky progres demokratik nuk është realizuar pse Serbia na la të qetë, pasi ne iu nënshtruam asaj duke ia marrë Listë Serbe në koalicion, duke ia dhënë Zajednicën apo duke ia premtuar veriun e Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial siç patën bërë pararendësit tanë në ekzekutiv. Përkundrazi, kërcënimet më të mëdha te sigurisë, tentimet me të rënda për stabilizim i kishim pikërisht ne. Barrikadat, tërheqjet kolektive e sulmet ne veri që të gjitha dështuan”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se në një listë zgjedhore do të jenë sërish me Guxo dhe Alternativën.
“Dua të shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin me presidenten, kryeparlamentarit duke thënë se ne mbështetemi me njëri tjetrin e populli mbështetet tek ne e ne tek ai. Me Guxo edhe Alternativën do të jemi bashkë në koalicion ashtu siç kemi qenë. Sërish në një listë për zgjedhjet e ardhshme. Sepse jemi ballëhapur si askush para nesh e nuk po mund të them pas nesh se do të fitojmë sërish. Ky është moment i rëndësishëm për përgatitjet tona organizative”.
Kurti është shprehur i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, madje ka thënë se pret rezultat edhe më të mirë.
“Shumica dërrmuese e popullsisë vazhdon të na mbështesë së paku sa pranverën e 2021 e mbase edhe më shumë. Që të gjithë duhet të punojmë t’i mbledhim ato vota që u afrohen gjysmë milioni të votave. Të mos llogarisim që i kemi ato mbi 400 mijë votave, ne duhet ta mbërrijmë atë që kemi arritur dhe ta tejkalojmë sepse na nevojitet shumica e qëndrueshme për vazhdimin e reformave të thella. Duhet të jemi të vëmendshëm që këtë sukses do të tentojnë ta zbehin e minimizojnë përmes formave të ndryshme e më së shpeshti përmes shpifjeve”.
“Kjo do të jetë me e thellë dhe më e gjerë se më 2021”, ka thënë Kurti.
Kurti ka lëshuar edhe një thirrje për anëtarët e partisë së tij që të mos garojnë mes vete. Ai ka thënë se nuk duhet të ketë garë me njëri-tjetrin, sepse kështu “i gjithë zinxhiri organizativ mund të pësojë”.
“Si Qeveri jemi më të përgatitur se kurrë kur flasim, bashkëbisedojmë e dëgjojmë qytetarët, duke mos pasur asnjë shkelje qeverisëse. Këtë sentiment të qeverisjes me organizatën duhet ta kenë edhe ministrat e zëvendësministrat. Duhet të jemi të përgatitur t’i kanalizojmë rezultatet. Duhet të kuptojmë që gara me njëri tjetrin nuk na shërben neve dhe qytetarëve”.
Ka përmendur edhe deputetët, duke thënë se duhet ta lexojnë situatën dhe idetë para se t’i futen garës zgjedhore.
“Të njëjtin mesazh për pikëvështrim duhet ta përcjelli edhe tek deputetët tane. Pavarësisht miratimit të ligjeve e punës që është bërë ka pasur nganjëherë edhe mospajtime e ngecje të koncentruara më shumë te disa. Ja kemi borxh qytetarit ta pranojmë atëherë kur idetë nuk na përputhen, shpresoj qe kandidatët e deputetet e ardhshëm ta lexojnë situatën dhe idetë mirë para se t’i futen garës. Nuk mund të fitosh në një mënyrë derisa ta realizosh një qëllim të përbashkët për ta degraduar atë në një synim individual…. Transformimet e këtilla duhet të kritikohen e organizohen në organizatën tonë. Një reflektim stoik i brendshëm te gjithsecili prej nesh është i pritshëm dhe i domosdoshëm. Duke u përpjekur ta mashtrojmë tjetrin mashtrojmë vetëm vetveten”, ka theksuar Kurti.