Kryeministri Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ka thënë se ka shumë gjasa që Kosova të anëtarësohet fillimisht në aleancën veriatlantike, e më pas në BE. Tek ka folur për rrugën e euro-integrimit, Kurti ka theksuar se BE-ja do të bëhet Evropë vetëm pasi ta përfshijë brenda vetes edhe Ballkanin Perëndimor
Kosova ka shumë gjasa të anëtarësohet në NATO para se në Bashkimin Evropian (BE), ka thënë kryeministri Albin Kurti të mërkurën, në diskutimin e organizuar nga Shtëpia e Kosovës në Davos të Zvicrës.
Në një tryezë bashkë me profesorin e ekonomisë nga Universiteti i Harvardit, Ricardo Hausmann, Kurti ka listuar arsyet që e bëjnë më të mundshëm anëtarësimin në aleancën veriatlantike.
“Unë besoj se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm dhe i vlefshëm për paqen dhe konceptin e prosperitetit në botë, që nga lufta e dytë botërore. Ne duam t’i bashkohemi BE-së dhe NATO-s, sepse i duam të dyja – të përfitojmë dhe të kontribuojmë. Fillimisht, me shumë mundësi ne do të anëtarësohemi në NATO. Derisa ballafaqohemi me agresionin rus në Ukrainë, që po ashtu ka ndikim edhe në Ballkan, ne duam të përshpejtojmë anëtarësimin tonë në NATO”, ka thënë Kurti. “Por nuk duam vetëm të kufizohemi drejt anëtarësimit në NATO, por edhe faktin se duam të fuqizohemi vetë. Ne kemi rritur shpenzimet në mbrojtje. Që nga viti 2023 kemi përmbushur kuotën prej 2 për qind të kontributit që duhet të ndajnë vendet anëtare”.
Tek foli për rrugën drejt integrimit në BE, kryeministri Kurti theksoi se BE-ja ende nuk është Evropë.
“Ne jemi në Evropë, por Bashkimi Evropian duhet të bëhet Evropë, pasi ende nuk është. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, BE-ja do të bëhet Evropë ku ne tashmë jemi”, ka potencuar shefi i Qeverisë.
Derisa Kurti nuk u mor me ndryshimet politike në SHBA, profesori i ekonomisë Hausmann ka folur për implikimet gjeopolitike me rikthimin e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“SHBA-ja është bërë më e paparashikueshme. Kur të tjerët nuk mund të parashikojnë sjelljen tuaj, të gjithë bëhen më të vetëdijshëm. Mendoj se është një mundësi e pastër dhe zgjidhje që Trumpi e ka për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila nuk mund t’i pëlqejë Evropës. Kështu që Evropa duhet të zhvillojë kapacitetet vetjake mbrojtëse. Mendoj se është e mundur se Evropa mund të shkojë drejt krijimit të një superushtrie. E ka ekonominë për t’u bërë superfuqi ushtarake, ka ambicien dhe mundësitë teknologjike që të bëhet superfuqi ushtarake. Fuqizimi i identitetit evropian do të jetë pjesë e ekuacionit”, ka thënë Hausmann.
Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri Kurti ka takuar edhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide. Sipas njoftimit të Qeverisë, të dy biseduan rreth sfidave të përbashkëta të sigurisë, adresimit të tyre dhe rëndësisë së bashkërendimit.
“Kryeministri Kurti theksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, krahas linjëzimit të Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, shkruan në komunikatën e Qeverisë.
Takimet bilaterale në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri Kurti, i ka vijuar edhe me kryeministrin e Lituanisë, Gintautas Palucka.
“Duke e uruar fillimisht homologun e tij për detyrën dhe fitoren në zgjedhjet e fundit, kryeministri shprehu edhe falënderimin ndaj shtetit mik të Lituanisë për mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë, përmes kontributit në misionin e KFOR-it dhe EULEX-it, bashkë edhe me përkrahjen ndaj vendit tonë në aspiratat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Gjersa e falënderoi për mbështetjen në procesin e integrimit evropian dhe për përpjekjet tona për përparim në këtë rrugëtim, Kryeministri ceku edhe se Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nevojiten hapa të rëndësishëm tutje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në Davos është duke qëndruar edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Të martën mbrëma ai njoftoi për takimin e zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, ku temë diskutimi ishte zbatimi i marrëveshjeve dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
“Në takimin tonë të fundit në rolin tim aktual me presidentin Aleksandar Vuçiq fola për gjendjen në dialog. Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit. Progresi i mëtutjeshëm është në interes të Serbisë, Kosovës, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së tyre”, është shprehur ai.
E Vuçiqi ka shkruar në llogarinë e tij në “Instagram” se ka pasur një “bisedë të hapur” për sfidat e sigurisë, me të cilat përballet, siç ka thënë, “populli serb” në Kosovë.
“Një bisedë e hapur me Lajçakun për situatën në rajon, veçanërisht për sfidat e sigurisë, me të cilat përballet populli ynë në Kosovë, si dhe për të ardhmen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar ai, duke shtuar se pret nga shtetet anëtare të BE-së “të forcojnë angazhimin dhe ndikimin e tyre” në Kosovë.
Mandati i Lajçakut përfundon brenda këtij muaji, ndërkaq me emisarin e ri dhe me mandatin që ka nisur presidenti Trump, pritet të ketë rrjedhë të re në dialogun Kosovë-Serbi.