Arbëri

Kurti: Agresioni i Rusisë në Ukrainë shpërfaq rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për fqinjët

Albin Kurti në takim me Nenad Çanakun

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth rreziqeve që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje. 

Kështu është shprehur ai teksa ka folur për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës në takimin e tij me bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq.

“Gjatë bisedës u diskutua mbi çështje aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit. Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë. Në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit. 

Tutje thuhet se Kurti e ka veçuar rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare - të cilën Republika e Kosovës “po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj”.