Arbëri

Kurti: 2024-a, vit i pasaportës sonë

Albin Kurti ne konference per media (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

2024-n e ka cilësuar “vit të pasaportës së Kosovës” kryeministri Albin Kurti, duke thënë se sivjet është renditur më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare.

Sipas Kurtit, ajo është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh të dekadës.

“Ajo renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave, është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit, dhe me të sot mund të udhëtojmë në 38 vende të botës më shumë sesa në vitin e kaluar. Qytetarët tanë tashmë lëvizin lirshëm dhe të pa diskriminuar, pa pasur nevojë të presin para dyerve të ambasadave për të marrë vizë për udhëtime afatshkurtra në shumë shtete”, ka shkruar ai.

Kurti ka thënë në Facebook se nëpërmjet njohjes së pasaportës, Kosova po afrohet me Evropën dhe përtej.

Pasaportat e Kosovës së fundmi janë njohur nga shteti i Armenisë.