Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, po gjykohet për incidentin në zyrat e KQZ-së gjatë 2021-s.
Ai akuzohet se e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Adnon Berisha në periudhën e pandemisë COVID-19, për shkak të mosmbajtjes së maskës.
Para gjykatësit, Kurteshi u shpreh se nuk e kishte sulmuar atë, por e kishte shtyrë.
“Duke hyrë në zyrën time kam parë një person pa maskë. Nuk e kam njohur vetëm e kam pyetur ‘djalo ku e ke maskën?’. Kjo ka qenë pyetja e vetme. Herën e parë s’është përgjigjur, herën e dytë i kam thënë djalosh ose vendose maskën, ose dil jashtë. Një kërkesë për rrethanat kur vdisnin nga 30 persona në ditë prej pandemisë, gusht 2021”, ka thënë Kurteshi.
Zyrtari i partisë në pushtet ka deklaruar se i dëmtuari është përgjigjur “as s’e vendosi e as s’dalë jashtë”, derisa shtoi se më pas i ka bërtitur.
VIDEO:
“Edhe atëherë i kam bërtitur atij dhe të tjerët të dëgjonin ‘t’i del jashtë tash menjëherë’. Prej natyrës nuk e kam të shaj, të fyej. Edhe e kam hapur derën e zyrës time, e kam lënë çantën në zyrën time dhe kam shkuar e kam shtyrë nga prapa të dëmtuarin, e kam afruar deri te dera. S’ka rezistuar, asnjë fjalë s’e ka folur. S’e kam shtyrë me forcë. E kam afruar deri te dera e daljes ka ardhur Yll Buleshkaj, atëherë ka qenë drejtor i Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e subjekteve politike sepse ka qenë fushata për zgjedhjet lokale 2021”, ka shtuar Kurteshi.
Gjykatësi i rastit është Sabit Sadikaj. Aktakuza ndaj Kurteshit ishte përpiluar më 21 dhjetor 2021.