Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se Lista Serbe duhet të demaskohet plotësisht, pasi sipas tij, është strofull e terroristëve dhe e terrorizmit. Sipas tij, ajo nuk duhet të jetë pjesë e asnjë qeverie në të ardhmen.
Kurteshi ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se ka ofruar dëshmi që Lista Serbe është përkrahëse e terrorizmit, derisa përmendi protestat e 2023-s në veri dhe dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj gazetarëve.
“Kemi ofruar dëshmi të mjaftueshme se Lista Serbe është subjekt, së paku në dy vjet, është shndërruar në strofull të terroristëve dhe të terrorizmit. I kemi të gjitha faktet nga dorëheqja e tyre. Janë shkaktuar trazira, janë lënduar ushtarë të KFOR-it, policë e gazetarë. KQZ-ja është viktima e vendimit të Listës Serbe kur kanë dhënë dorëheqje bashkëpunëtorët tanë, janë mbyllur zyrat dhe është futur eksploziv në zyrat e KQZ-së. KQZ-ja ka paraqitur kallëzim penal e kurrë s’është bërë asgjë”, ka thënë Kurteshi.
Ai u shpreh se si anëtar i KQZ-së ka kërkuar të moscertifikohet ky subjekt politik, por shtoi se nuk e di nëse do të ankohet Lëvizja Vetëvendosje si subjekt politik.
“Ka mundësi që Vetëvendosja ankohet. Ne mund të marrim vendimin vetëm si anëtarë të KQZ-së, jemi anëtarë të partisë, por partia mund të vendosë. Ne si KQZ nuk do të ankohemi. Kemi parë përgjigjen e PZAP-së, aspekti ka qenë formal”, u shpreh Kurteshi.
I pyetur për komunikimet e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me Listën Serbe dhe ish-nënkryetarin e saj, Milan Radoiçiq, Kurteshi u shpreh se ajo “e ka obligim të komunikojë me të gjitha grupet parlamentare”.
Ai u shpreh se pret që partia e tij në zgjedhjet e 9 shkurtit t’i marrë mbi 60 deputetë.
“Pres nga Vetëvendosje t'i marrë mbi 60 deputetë dhe të jenë të përzgjedhur që deputeti kur merr besimin nga populli, është i listës së VV-së e s'mund të dalë të thotë ‘jam i pavarur’”.