Arbëri

Kurteshi: Ka fakte që vërtetojnë se Dehari është vrarë me urdhër nga lartë – unë s’i posedoj

Sami Kurteshi

Sami Kurteshi ka këmbëngulur se mbrapa vdekjes së ish-aktivistit, Astrit Dehari qëndrojnë ish-krerët e shtetit.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale, rreth deklaratave që i ka dhënë në konferencën për media të mbajtur javën e kaluar lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

Pas intervistimit për më shumë se tri orë, Kurteshi është deklaruar për media, duke thënë se i qëndron pas çdo deklarate të bërë në konferencën e 12 gushtit. Ai ka thënë se është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Ka këmbëngulur se mbrapa vdekjes së ish-aktivistit, Astrit Dehari qëndrojnë ish-krerët e shtetit.

Kurteshi ka thënë se ka parë fakte e dokumente, të cilat sipas tij e dëshmojnë, që Astrit Dehari është vrarë.

“Unë nuk i posedoj ato fakte, vetëm jam njëri nga personat që e përcjelli rastin. Janë mbi tre mijë faqe, dokumente të ndryshme në lidhje më rastin, prova, analiza e rekomandime në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre i kam lexuar e përcjelli rastin. Aty ka me qindra dëshmi dhe fakte qe vërtetojnë bindjen time që rasti i Deharit është vrasje e plotë me urdhër nga lartë”, ka thënë Kurteshi.

E avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se nuk ka marrë përgjigje për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Ai ka theksuar se beson që prokurori i ri do të punojë më shumë për zbardhjen e këtij rasti.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari ka vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 4 nëntor 2016 në kohën sa ishte i dyshuar për sulmin në Kuvend me granatahedhës të datës 4 gusht 2016. Familja dhe partia e tij në vazhdimësi kanë thënë se bëhet fjalë për vrasje./EO

VIDEO: