Një kapitull me peshë i zgjedhjeve në Kosovë, janë edhe ato në referendumin për Kosovën e pavarur dhe sovrane, në shtatorin e vitit 1991. Kutia e votimit, sot artefakt, është vetëm pikënisja e shpalosjes së rrëfimit për atë ngjarje e për atë kohë, kur mbi të gjitha, nuk votohej për parti, por mbi të gjitha për liri
Në kutinë që e kishte punuar me duart e veta, Shemsedin Haliti do të votonte në referendumin për Kosovën e pavarur dhe sovrane në shtatorin e vitit 1991. Për 22 vjet me radhë e kishte ruajtur në shtëpinë e tij para se t’ia dërgonte Muzeut të Ferizajt, që vizitorët të mund të prekin me duart e tyre një copëz të historisë më të re të Kosovës
Zdrukthëtari i shtetësisë
Në shtëpinë e vjetër, që kishte shërbyer si shkollë gjatë viteve nëntëdhjetë, zdrukthëtari Haliti e kishte ruajtur njërën prej kutive të referendumit. 79-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore, por i biri Mehmeti ka rrëfyer përmbledhtas historinë e babait, i cili vite më parë e kishte treguar vetë për “Kohën Ditore” rolin e tij.
“E kanë pasë porosit këta të Lidhjes Demokratike atëherë që janë kanë zgjedhjet, edhe prindi i ka maru katër kutia dhe mandej i ka dorëzuar në arkiv atje”, thekson Mehmet Haliti para shtëpisë së vjetër në “Lagjen e Sherretëve” në Ferizaj. “Por rrezik ka pasur atëherë, kuptohet se atëherë ka qenë më së vështiri me punu. Kejt në të zezë”, shton burri që edhe disa vjet pas luftës do ta vazhdonte zanatin e babait. Por ka disa vjet që askush nuk ka punuar me makinerinë e Shemsedinit, mjeshtër i dalluar për gdhendjen e drurit.
Një fotografi e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, në murin ballor të punëtorisë tregon mbështetjen e familjes për lëvizjen paqësore të udhëhequr prej tij.
Në anën e majtë të oborrit ndodhet një tjetër shtëpi, që gjithashtu ka lidhje me zhvillimet e viteve nëntëdhjetë.
Mehmet Haliti tregon se si në shtëpinë e fqinjëve, së cilës i është vënë dryni pasi të zotët ndodhën në Shtetet e Bashkuara, ishte votuar në fillim të viteve nëntëdhjetë. Rrëfen edhe rolin e tij gjatë votimeve.
“Na jemi kanë në roje në periferi të ‘Lagjes së Sherretëve’, na kemi vëzhgu se u kanë shumë vështirë, shumë problem u kanë atëherë”, thotë Mehmet Haliti, teksa hedh shikimin kah rruga që tani mban emrin e dëshmorit të UÇK-së, Arsim Bega. Ai thotë se për çfarëdo lëvizje të dyshimtë, duhej të njoftohej fqinji Nuhi Avdiu, i cili tani ndodhet në Gjermani.

Video-xhirimet e Ratkocit
Kutia e Haxhi Shemës, sikurse i referohen, bëhet shkas që në Muzeun e Qytetit të Ferizajt, përgjegjësi Ilir Bytyçi t’u tregojë vizitorëve për referendumin, ku prej mbi 914 mijë votuesve, mbi 99 për qind do ta legjitimonin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, por që nuk do ta njihte bashkësia ndërkombëtare.
Bytyçi, thotë se kutia e Haxhi Shemës shpalos historinë e rëndësishme të procesit të votimit në referendumin e shtatorit ‘91. Ai ka treguar edhe disa fotografi të votimit në fshatrat Mirosalë e Komogllavë të Ferizajt.
“Referendumi për Kosovën sovrane u krye me sukses të plotë”, ishte titulli i vetëm i ballinës së gazetës “Bujku” në fundshtatorin e atij viti.
Në njërën prej katër video-xhirimeve të publikuara në faqen e fshatit Ratkoc në “Facebook”, shkruan se janë xhirimet e Gani Hotit, marrë nga Milaim Latifi. Sikurse në kutinë e Haxhi Shemës, edhe në Ratkoc të Rahovecit, nuk votohej pa flamurin kombëtar. Po votohej për liri.
Faqja e fshatit njofton se në xhirimin e odës së Haxhi Ramiz Latifit janë Fatmir Salih Hoti, Rexhep Hoti dhe Milaim Latifi, i cili thotë se masa i është “përgjigjur në mënyrë masive”, me 90 për qind të votuesve që kishin shprehur mendimin e tyre deri në orën tre për Kosovën si shtet sovran.
Muhamet Hamiti, bashkëpunëtor i presidentit Rugova, thotë se pas referendumeve nga ish-republikat e tjera jugosllave, edhe Kosova do të ndiqte hapin për legjitimim popullor të kërkesave për pavarësi në Jugosllavinë që do të merrte theqafjen për shkak të planeve të Slobodan Milosheviqit për krijimin e Serbisë së madhe.
Në xhirimin tjetër, aktivisti Salih Hoti do të kumtonte rezultatet e vendvotimit të fshatit në zgjedhjet parlamentare e presidenciale të organizuar më 1992 nga LDK-ja që do të kthehej në bartëse kryesore të lëvizjes paqësore.
“Që në fillim mund të them se në fshatin Ratkoc në dy vendvotime për zgjedhjet parlamentare dhe për president të Republikës së Kosovës, që në ora shtatë interesimi ishte shumë i madh dhe ishin krijuar radhë të gjata për të dhënë votën për deputetët dhe për presidentin e Republikës”, deklaronte Hoti, derisa ka të dhënat për daljen e madhe. Votohej në oda e oborre. Votohej edhe në hapësira të jashtme publike gjithandej Kosovës. “Mund të them se puna ka shkuar normalisht”, shtonte Hoti.
“Kjo kulturë që u krijua në vitet nëntëdhjetë është edhe bazamenti për shtetin e pavarur të Kosovës, pa asnjë dyshim”, thekson Hamiti, profesor universitar. “Unë thashë pak më herët se është dukur ëndërr, por ka qenë vizion i Rugovës me bashkëpunëtorët e vet, i Lidhjes Demokratike, i partive të tjera politike në atë kohë”, thotë Hamiti, duke përmendur aktivitetin e atëhershëm të Partisë Fshatare, Partia Parlamentare, Partia Sociale Demokrate dhe të tjera që do të shuanin aktivitetin pas luftës.

Shtëpia e harruar e lirisë
Në Ferizaj, shtëpia e Hyzri Beqirit – të njohur si Hyzri Varoshi – për tetë vjet me radhë nën pushtim, ishte adresa kryesore e politikës, arsimit, gazetarisë, shëndetësisë e bamirësisë për lëvizjen paqësore dhe atë të armatosur në Ferizaj. Në këtë shtëpi do të mbaheshin edhe zgjedhje të degëve të partive e aktivitete të ndryshme që do të frymëzonin edhe rezistencën e armatosur.
“U dashke me u ba gati me i prit ata njerëz me mëngjes, me fshi, me drejtu venin, me këqyrë mos po hi najkush, me nejtë në ballkan me i rujtë ata prej policisë...”, thekson Hidajete Beqiri, e zonja e shtëpisë. “Na hishin mrena, na rrehshin, na bërtitshin, na e bajshin shpinë lamë, por na qaq të madh e kemi pas vullnetin për këta shqiptarë, për këtë Kosovë, kejt kemi dashtë me i dhanë prej vetes”.
Ajo thotë se dyert i kishin të hapura të gjitha partitë e institucionet e atëhershme që po funksionin nën kulmin e Hyzri Varoshit. “Dy djemtë m’i kanë marrë e m’i kanë lidhë për stubi poshtë, Agronin e Dritonin, e Hyzrinë e kanë marrë t’u e rreh me durt lidhë përmas”, thekson me emocione zonja Beqiri, duke treguar se policët i kishin detyruar gratë të fillonin gozhdimin me duar të gozhdave pas zhveshjes së mureve nga policia serbe. “Thanë me e vnu llamperinë me grushta. Na shkojke gjaku deri në bryll”.
Në shenjë hakmarrjeje, serbët do ta bombardonin pas fillimit të fushatës bombarduese të NATO-s. Pjesa më e madhe u rrafshua, por në këmbë mbeti pjesa ku ishin disa prej klasave në katin e dytë dhe zyrat e udhëheqësve të LDK-së në përdhese.
Në kohë paqeje, politikanët i rralluan fort vizitat. Për “Komunën e Ferizajt” – siç i referohet shumëkush shtëpisë që ishte seli e të gjitha institucioneve paralele, ata kujtohen vetëm në kohë fushatash parazgjedhore. Në murin ballor të dhomës së ndejës, ka një fotografi të Hidajetës dhe presidentes Vjosa Osmani, e cila do t’i vizitonte Beqirët gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. Megjithatë, për shumëkënd, Hyzri Varoshi dhe familja e tij janë simbol i dijes dhe rezistencës për liri.
E përbashkëta e dy lëvizjeve të ndryshme
Por thyerja që do të reflektonte më fort pas luftës, rrënjët i kishte në pakënaqësinë e një pjese të ish-aktivistëve të rebeluar e të ish-të burgosurve politikë që mendonin se nga rezistenca paqësore e kryesuar nga Ibrahim Rugova, duhej të kalohej në të armatosur.
Bytyçi, historian me profesion, thotë se vitet nëntëdhjetë paraqesin një epokë të vështirë në historinë e re shqiptare, por që do të kulmonin me çlirimin e Kosovës në fund të dekadës. “Do të thotë rezistencës paqësore i mungonte vetëm komponenti i luftës së armatosur”, thekson ai. “Edhe ky komponent erdh pastaj pas zhvillimeve të vitit 1996, kur u pa se lëvizja paqësore nuk e kishte një aspekt që e kërkonte koha”.
Megjithatë, qëllimin e kishin të përbashkët dy lëvizjet që përdornin mjete të ndryshme. Kjo është edhe arsyeja pse në muze, kutia e referendumit me ekzemplarët me plumba të studimit të Rugovës jetës dhe krijimtarisë së Pjetër Bogdanit dhe uniformat e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë vendosur në këndin e njëjtë. Bytyçi ka shpjegim edhe për këtë përbashkim.
“Ne në historinë tonë kemi një të përbashkët: Kur të bashkohet penda dhe pushka, atëherë është shumë normale të arrihen edhe objektivat, si në luftë, edhe në liri”, thekson fytyrëqeshur historiani. “Prandaj, ne këtu kemi një gërshetim për shkak se një popull i ka bërë dy rezistenca”. Ai thotë se është e rëndësishme që brezat e rinj ta kujtojnë sakrificën e popullit shqiptar deri në jetësimin e lirisë.
Por, po aty, ndodhen edhe uniformat e policëve serbë, për t’ua kujtuar liderëve, që shpesh pikë e pesë edhe për kauza kombëtare, se kur qëllimi është i njëjtë, mund të tejkalohen edhe dallimet për mjetet e jetësimit të tij.