Reagim i Dimal Bashës

Kur logjika të tradhton – dhe paragjykimi të mposht!

dimal basha

Edhe Flaka Surroi u përfshi në debatin për zgjedhjen e znj. Albulena Haxhiu për Kryetare të Kuvendit, duke paraqitur dy argumente kryesore: së pari, ajo pretendon se cilësimi i moszgjedhjes së znj. Haxhiu si problem gjinor është "cheap"; dhe së dyti, na akuzon se kemi bërë znj. Haxhiu pjesë të një pazari politik të udhëhequr nga burrat. Asnjëri prej këtyre argumenteve nuk qëndron. Njëri është i ngarkuar me paragjykim të pavetëdijshëm gjinor, ndërsa tjetri përmban kundërthënie të brendshme logjike.

Në asnjë moment nuk e kemi paraqitur moszgjedhjen e znj. Haxhiu si problem gjinor. Secili ka të drejtë ta kundërshtojë Albulenën, dhe gjinia nuk duhet të përbëjë përjashtim. Mirëpo problemi nuk qëndron te fakti që po refuzohet Albulena, por PSE po refuzohet. Opozita po e thotë qartë, ne e kundërshtojmë Alubulenën sepse është “zhurmshme” dhe “përçarëse”. Këto cilësime i lidhin me qëndrimet e saj të rrepta ndaj marrëveshjeve të dëmshme për vendin, si Zajednica dhe Gjykata Speciale.

Pra, qëndrimet e saj parimore cilësohen si “zhurmë” dhe “përçarje”, duke reflektuar një mentalitet shoqëror që ende nuk e pranon lehtë një grua të jetë e vendosur dhe e zëshme në politikë. Pyetne veten, pse i njëjti argument nuk është përdorur për Glauk Konjufcën, i cili po ashtu ka pasur qëndrime të njëjta dhe ka qenë po aq i zëshëm kundër Zajednicës dhe Gjykatës Speciale? Pra ky seksizmi i heshtur gjindet në standardin e dyfishtë që operojmë e justifikojmë!

Për më tepër, znj. Surroi thotë se seksizmi dëshmohet vetëm nëse opozita refuzon 4 gra kandidate radhazi. Me fjalë të tjera, kompromisi që po kërkohet është të presim deri sa të ketë një grua të 'përshtatshme' për opozitën, pra një grua që nuk është e ashpër dhe e prerë në qëndrime, sado që ajo të ketë të drejtë, që prapë indirekt është një justifikim e një mendësie mizogjene.

Për mua, një qëndrim i tillë mund të pritet nga burrat, të cilët shpesh përpiqen të minimizojnë ose injorojnë zërin e grave në politikë. Mirëpo ky nuk do të duhej të ishte argument i një gruaje, e aq më pak i një intelektualeje, që, mbase pa vetëdije, po përkrah një qëndrim të ndërtuar nga PDK-ja dhe AAK-ja, që nënvlerëson zërin dhe rolin e grave në politikë.

Argumenti i dytë lidhet me akuzën se kemi bërë znj. Haxhiu pjesë të një pazari ‘politik’ të udhëhequr nga burrat. Këtë argument nuk ka shumë nevojë ta analizosh gjatë, sepse vetë logjika e saj është e paqëndrueshme dhe e kundërthënë.

Përcilleni vijën e argumentimit:

Më 23 prill, Flaka Surroi shkruan: "Nuk i kanë votat, nuk e ndërrojnë kandidaten, pra bllokimin po e bën VV-ja." Pra, me fjalë tjera nuk pajtohet me bllokadën dhe rrjedhimisht po kërkon të hyjmë në një ‘pazar’ me opozitën, ku ndryshohet emri i Albulenës.

Më pas, e sheh si shqetësuese që një grua është bërë pjesë e një ‘pazari’ politik të udhëhequr nga burrat.

Ne asnjëherë nuk kemi thënë që emri i Albulenës është i hapur për kompromis; përkundrazi, kemi deklaruar qartë se nuk e ndryshojmë kandidaten. Ndërkohë, Flaka Surroi vetë më 23 prill na akuzon për bllokadë pikërisht sepse nuk po hyjmë në pazar për të ndërruar emrin.

Tjetra, argumenti është kundërthënës: ku fillimisht kërkon nga ne ta ndërrojmë znj. Haxhiu – pra, të hyjmë në pazare politike pa asnjë arsye të shëndoshë – dhe më pas na akuzon se kemi bërë një grua pjesë të pazareve politike. Në realitet, ne pikërisht po refuzojmë hyrjen në pazare duke qëndruar besnikë ndaj kandidaturës së znj. Haxhiu.

Për fund, Albulena nuk po kundërshtohet drejtpërdrejt për faktin që është grua, por për qëndrimet që, në mendësinë patriarkale, 'nuk i takojnë' një gruaje. Ajo pra indirekt po kundërshtohet për rreptësinë dhe ashpërsinë e parimeve që ka mbrojtur, sado të drejta që ato të kenë qenë, vetëm sepse është grua — duke riprodhuar kështu një seksizëm të heshtur, që ende pret që gratë të mos jenë të rrepta dhe të ashpra, pavarësisht se sa kanë të drejtë. Këtë argument e dëgjon kryesisht nga burrat që vazhdojnë të mirëmbajnë një mentalitet patriarkal, por fatkeqësia është kur kemi edhe gra që janë të gatshme të pengojnë avancimin e një gruaje me 126 mijë vota, vetëm për të mbështetur kundërshtimin e opozitës, sado banal apo seksist që të jetë.

Dimal Basha është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje