Arbëri

Kujtohen lulet, çaji e mirënjohja për britanikët në ditën e çlirimit të Prishtinës

c

Ushtarët britanikë u pritën me çaj rusi në rrugët e “Arbërisë”, me bukë e me lule në tërë kryeqytetin, kur Prishtina u çlirua në ditët e para të qershorit të vitit 1999.

Miqësorë tregoheshin ata me fëmijët që lirinë e kishin pritur pa u larguar nga Kosova.

“Banorët lokalë po na dhurojnë lule, po na japin bukë, ushqim e ujë, çkado që kemi nevojë. Në shtëpitë e tyre na kanë thënë se mund të qëndrojmë, madje kemi bërë dush me ujë të nxehtë pas 4 netësh patrullimi. Është shumë mirë”.

E banorët e kryeqytetit e kanë të freskët memorien e atyre ditëve kur bashkë me fëmijët pritnin me lule ushtarët e trupave paqeruajtëse të NATO-s. Këtë ndjenjë e përjetuan më shumë ata që qëndruan gjatë luftës në Kosovë. Thonë se imazhet e ditëve të çlirimit duhet të shfaqen vazhdimisht nëpër media.

Megjithatë Kosova sot nuk është ajo që e kishin menduar 25 vjet më parë.

Në mesin e forcave britanike në Prishtinë kishte shërbyer edhe këngëtari i famshëm James Blunt. Ai e kishte dokumentuar shërbimin e tij me video që nga nisja nga Anglia e deri në hyrjen e trupave në kryeqytet.

“Është e enjte, 10 qershor dhe sonte ne do të hyjmë në Kosovë, duke udhëtuar drejt kryeqytetit Prishtina. Do të jemi të parët që futemi. Do të jetë shumë emocionuese”, ka thënë Blunt.

Ai u kthye pas shumë vjetësh ku këndoi super hitin e tij “You’re beautiful”, që ia dedikoi një vajze kosovare.

Në Prishtinë javën që vjen rikthehet edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, i cili të hënën u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.