Gazetarët Fisnik Abrashi e Ylber Bajraktari dhe fotoreporteri Alban Bujari kishin marrë natën udhë me taksi drejt Prekallës së Istogut në kërkim të “Rojave të mjegullës”. Donin të verifikonin vetë pretendimet e raporteve mediatike se fshatarët po kujdestaronin natën. Pas rrugëtimit të gjatë nëpër postblloqe policore, ekipi i gazetës “Koha Ditore” do ta vërtetonte se shqiptarët e serbët e fshatit ishin njerëz të thjeshtë e të frikësuar.
Bujari ka treguar të enjten se si mezi e kishin gjetur një taksist që guxonte t’i dërgonte nëpër rrugën pothuajse të boshatisur ndërmjet Prishtinës dhe Pejës. Gazeta mbështeste të gjitha shkrimet mbi fakte të verifikuara nga vetë gazetarët në terren. Një grua serbe i kishte paralajmëruar gazetarët e rinj se në çdo moment në fshat mund të kthehej i biri polic. Ata ishin mësuar tashmë me persekutimet e vazhdueshme të pjesëtarëve të forcave policore e ushtarake serbe, shkruan sot Koha Ditore.
“Por larg prej rojave të natës, ajo që pamë ishin njerëz të thjeshtë e të frikësuar, si shqiptarë ashtu edhe serbë, gjatë atij rrugëtimi nëpër natë”, kujtonte Abrashi me rastin e dhjetëvjetorit të gazetës “Koha Ditore”, numri i parë i së cilës doli më 31 mars 1997. Abrashi tani është redaktor i agjencisë amerikane, “Associated Press”. Bajraktari, këshilltar për siguri kombëtare në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bujari vazhdon të mbulojë ngjarje të ndryshme nga terreni.
“Ma ruaj djalin”
Nuk preferon të flasë shumë për luftën. Në raste të rralla gjatë punës në terren me gazetarë të rinj, Bujari shpalos kujtime të luftës. Si me humor nganjëherë thotë: 300 vjet i kam”. Më shumë e ka për ta kaluar situatën e ndjeshme me përvojat e tij. Bujari ka dëshmi prej më të ndryshmëve. Nëpër plumba e rrugë të minuara, Bujari si dhe gazetarët e korrespodentët e gazetës po dokumentonin krimet serbe në Kosovë. Përveçse në ballinën e “Kohës Ditore”, fotografitë e shkrimet e gazetës konsideroheshin si dëshmi edhe prej gazetarëve, aktivistëve dhe diplomatëve të huaj. Bujari ka dokumentuar masakrat më të mëdha deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999. Në fillim, nëna e tij nuk e dinte se ku po shkonte i biri fotoreporter i ri. Në ethe e përcillte nga shtëpia, kur e kuptoi se djali po ia dëshmonte botës tmerrin e Serbisë kundër shqiptarëve të pafajshëm. Përzierje ankthi dhe krenarie për nënën.
“Ma ruaj djalin”, do t’i drejtohej një herë kolegut të punës së Bujarit, Afrim Vitia, atëherë shofer i gazetës, tani shef i marketingut. “Ishalla e ruan Zoti se unë as veten nuk mund ta ruaj”, do t’ia kthente Vitia, kujton ai dhe vetë Bujari në redaksinë e gazetës.
Herë pas here, për të kaluar momentet e ndjeshme, tregojnë situata prej terrenit nëpër vatra të ndryshme të luftës. Goxha vështirë e kanë kur flasin për masakrën e Rogovës, ku po dokumentonin masakrën e kryer nga forcat serbe. Trupat e pajetë ende qitnin avull.
“E policët ua hallakasnin xhepat me ua marrë viktimave paratë ose ua hiqnin unazat nga gishtat”, kujton me emocione Vitia. Bujari përpihet. Vitia shtrëngon nofullat. Shpejt mbledh veten.
“A të kujtohet që gratë e fëmijët i kishin mbyllur në një shtëpi afër dhe nuk i linin me dalë. Gratë e fëmijët qanin e bërtisnin”, thotë pastaj Vitia.
Bashkë do të dilnin të fundit nga Reçaku kur forcat serbe po ktheheshin me artileri të rëndë e duke gjuajtur për t’i marrë kufomat në xhaminë e fshatit, ku ishin shtrirë trupat e pajetë të 45 shqiptarëve të masakruar më 16 janar 1999. Bujari mundohet t’i shmanget mbulimit të përvjetorëve të masakrave, që e kishte dokumentuar njëzet vjet më parë. Përvjetorët i përjeton rëndë, ngase i ngjallën kujtimet e trupave të gjymtuar e reagimet e familjarëve të tyre, që po i gjenin të dashurit e tyre përtokë e të gjymtuar.
Bujari ka mbuluar me fotografi dhe ndihmuar gjatë varrimit të 52 anëtarëve të familjes Jashari në Prekaz në marsin e vitit 1998. Bashkë me të, edhe Adem Meta, korrespodent fjalëpakë i “Kohës Ditore”, i cili njëherësh ishte sekretar i degës së KMDLNJ-së për Skenderaj. Meta ka konsideratë të veçantë për punën e Bujarit, i cili shoqëronte edhe ekipet e medieve botërore si udhërrëfyes, përkthyes e fotoreporter nëpër pikat më të nxehta. Meta ishte korrespondenti i parë i gazetës “Koha Ditore”, i cili kishte parë për së afërmi fillimin e asaj që jo shumë kohë më pas do të shndërrohej në luftë.
Ngjallja e “gjeografisë së harruar të atdheut”
Rrjeti i korrespondentëve pati filluar të funksiononte në muajin mars të vitit 1997, i shoqëruar më pas me hapje të korrespondenturave të “Kohës Ditore” në disa nga qendrat kryesore të Kosovës. Lajmet dhe ngjarjet nga terreni filluan të mbushnin faqet e para të gazetës, duke sjellë “gjeografinë e harruar të atdheut”, siç e pati cilësuar njëri prej korrespondentëve më të hershëm të gazetës, Afrim Demiri, raportimin nga terreni atë kohë, thuhet në monografinë “10 Vjetët e parë” të botuar më 2007. Jeta nën terror nëpër fshatrat e margjinalizuara — fshatra që shumëkush nga ata që i lexonin në Prishtinë as që e dinin se ku i bien - shpalosej me tërë fatalitetin e saj në faqet e gazetës që po rebelonte një kohë, për të emancipuar ndjenjën e rebelimit kolektiv. “Prishtina po mëson emra vendesh që nuk dinte se ekzistonin dalë në ballë artikulimit të një spektri kërkesash të ligjshme ndaj Beogradit dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare”.
Baton Haxhiu pas shkallëzimit të situatës në njërën prej mbledhjeve të redaksisë u kishte thënë korrespondentëve se “prej tash duhet ta dini se jeni reporterë të luftës”. Kjo ishte periudha, siç kujtohet në monografi, kur “Dushkaja zbrazej, Drenica digjej, Dukagjini vritej, Llapi ushtonte, Jezerci bombardohej dhe për të gjitha duhej shkruar”. “Shpesh të kaplonte dëshpërimi se kujt i duhej e vërteta, kur dihej thënia se në luftë e vërteta vdes e para. Por megjithatë një vrull i brendshëm më bënte të shkoja kundër kësaj thënieje. Sot e kësaj dite më shkojnë mornica trupit kur i kujtoj titujt e asaj kohe: “Nerodimja një fshat që po digjet”, apo “Baballoçi u sulmua me artileri të rëndë”, ‘U granatuan shtëpitë e familjeve….”, kujtonte Demiri.
Valbona Mehmeti, tani zëvendëskryeredaktore, tregon se si ishte e vështirë të krijohej distanca e nevojshme profesionale gjatë raportimit nga terreni.
“Kur ktheheshim në redaksi, uleshim dhe qanim, pastaj shkruanim”, do të kujtonte ajo në njërin prej rrëfimeve për reporterët e luftës në KTV.
“Na mbante ideali”, ka thënë Adem Meta të mërkurën në Prekaz, afër varrezave të Jasharëve, kur u pyet për rrezikun.
“Tytat në bubrek na i shtinin”, thekson Afrim Vitia në redaksi, teksa përshkruan situata kur keqtrajtoheshin nga forcat policore serbe nëpër postblloqe. “Se fyerjet, sharjet, shtyrjet, kush i bënte hesap”, thekson Vitia, që sipas kolegëve të terrenit, po e bënte edhe gazetarin. Është rrëfimtar i lindur. Situatat më të pazakonshme i përshkruan duke improvizuar me gjeste. Prishtinasi i ri nuk po u lëshonte udhë as disa ushtarëve arrogantë të UÇK-së, kur gazetarëve u kërkonin lejen e lëshuar prej zyrës së UÇK-së në Prishtinë, nën drejtimin e disidentit të ndjerë, Adem Demaçi.
“Një herë madje dhanë urdhër me na lidh e me na dënu me burg, por pastaj një komandant e njohu Valbonën”, tregon Vitia.
“Këta ishin djem të rinj e disa ushtarë silleshin ashpër me ta. Thoshin: ‘Erdhën këta shehërlitë e Prishtinës’”, kujton Meta në Prekaz. “Por e di një herë, kur Nebi Qenën dhe Garantina Krajën i kam nisë prej stacionit të autobusëve në Skenderaj kah Mitrovica se kish rrezik nga postblloku famëkeq në Komoran – e ata donin të shkonin andej – dhe jam përshëndet me ta. Të nesërmen, veç kur e kam parë fotografinë e postbllokut të Komoranit në gazetë. Eu!”, kujton Meta me habi. “Të rinj, por trima. Më vonë Tina më pati thënë se Beni (Nebi Qena,v.j.) kishte krijuar një mburojë të improvizuar me krah, derisa Tina e kishte shkrepur aparatin”.
Rexha trupon në këmbë Kosovën
Bujari e Vitia kujtojnë se si, bashkë me Nebih Qenën, ishin nisur për Pejë për të mbuluar varrosjen e serbëve të vrarë në kafenenë “Panda”, që më vonë do të vërtetohej se ishte sulm i kryer nga vetë shërbimet serbe. Qena e Bujari kishin shkuar në ceremoni pa treguar identitetin. Vitinë nuk do ta lejonte një burrë pejan, tek i cili do t’i priste. Vitia e Bujari e plotësojnë njëri-tjetrin me pjesë të dëshmive të luftës. Vitia do të keqtrajtohej edhe në Prishtinë në rrugën për në Gërmi, një ditë pas vrasjes së tre policëve pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s.
Rexhep Krasniqi, ish-korrespondent i gazetës, i cili një kohë punoi edhe si gazetar në deskun e redaksisë në Prishtinë, ka qenë po ashtu njëri ndër ata që mund të thuhet lehtësisht se kanë ecur këmbë rajonin e gjerë të Kosovës Qendrore, me Malishevën si zonë e parë e lirë për disa muaj rresht në vitin 1998 në raportimin e suksesshëm nga terreni. Raportimi i parë gazetaresk rreth konfrontimit të forcave serbe me UÇK-në i Krasniqit ishte në janar të 1998-s.
“Më 24 janar 1998 një grup i armatosur shqiptarësh kishte sulmuar një patrullë serbe. Ishin plagosur dy policë serbë, ndërkaq ndonëse shumëkush supozonte se përleshja ishte inskenim i policisë si pretekst për keqtrajtim qytetarësh, të shumtë ishin edhe ata që grupin e identifikonin me UÇK-në. Raporti rreth kësaj ngjarjeje i përgatitur nga Krasniqi zë vend në ballinën e ‘Kohës Ditore’”, shkruan në monografi. Më pas në fillim të pranverës 1998 grupe të armatosura të UÇK-së, të maskuara filluan të dilnin në pikë të ditës në Malishevë, duke e detyruar policinë serbe që të hiqte dorë prej patrullimeve deri më 8 maj, kur në Balincë ndodhi një betejë e armatosur, dhe në ambulancën kryesore në Malishevë, e cila ishte shpallur “Zonë e lirë” nisën të dërgoheshin të plagosurit e parë nga lufta.
“Afro tre muaj gjatë kësaj kohe kam dërguar raporte rreth jetës që po zhvillohej në këtë zonë të lirë. Raportet i dërgoja përmes telefonit ose në dorëshkrim përmes gazetarëve që vinin nga Prishtina e qendra të tjera në Malishevë. Përveç kolegëve nga redaksia, tekstet e mia në dorëshkrim herëve të shumta nëpër postblloqe i kanë përcjellë në redaksi edhe gazetarë të huaj, si Paul Wood, Miguel Gil Moreno, Kurt Schork etj. Në veçanti me gatishmëri për ndihmë është shquar gazetari i BBC-së, Paul Wood”, rikujtonte Krasniqi.
Bujari, fotoreporteri që dokumentoi masakrat më të mëdha, gjithnjë e mbyll bisedën me të njëjtën shprehje, kur kolegët e rinj e nxisin të rrëfejë përvojat e tij: “Lufta, mos u përsërittë kurrë!”